Kujto kur Jusufi, i tha të atit
(Jakubit): “O babai im! Unë pashë
(në ëndërr)njëmbëdhjetë yje dhe Diellin dhe Hënën. Unë i pashë duke më bërë mua sexhde.” -
Babai i Jusufit ishte Jakubi, ky ishte i biri i Is'hakut, dhe ky i biri i Ibrahimit (a.s), të dashurit të Allahut të Lartësuar, - paqja dhe bekimet e Allahut qofshin me të gjithë ata dhe Profetin tonë a.s. Kështu, Jusufi i tregoi të atit: “Unë pashë (në ëndërr) njëmbëdhjetë yje dhe Diellin dhe Hënën. Unë i pashë duke më bërë mua sexhde.”. Kjo qe një ëndërr, e cila paralajmëronte gradën e lartë të Jusufit (a.s) në këtë jetë dhe në ahiret. Ëndrra ishte një përgëzim për atë që do të ndodhte më vonë me këtë djalosh të mrekullueshëm dhe të përzgjedhur. Kur dëshiron të realizojë një çështje madhështore, Allahu i Lartësuar i paraprin asaj me shenja të ndryshme, si lehtësim për robërit e Tij të dashur, që të mund të fillojnë parapërgatitjen. Ai i ndihmon ata duke u dhënë forcë dhe durim, për të përballuar çdo lloj vështirësie në sprovat që pasojnë. Pa dyshim, kjo tregon për butësinë, bamirësinë, mëshirën dhe dashurinë e madhe të Allahut të Lartësuar për robërit e Tij. Jakubi (a.s) e interpretoi ëndrrën duke thënë se dielli simbolizonte nënën e Jusufit, hëna simbolizonte babain e tij, ndërsa yjet ishin vëllezërit e tij. Gjithashtu, ai parashikoi se më vonë, përgjatë jetës, situata do të vinte në një pikë të tillë që të gjithë vëllezërit e tij do t’i nënshtroheshin dhe përuleshin atij, duke i rënë në sexhde, në formë nderimi dhe respekti. Por, sigurisht, të gjitha këto do të ndodhnin përmes rrugësh dhe sebepesh të përcaktuara nga Allahu i Lartësuar. Ai i ndihmon dhe u gjendet pranë atyre të cilët i ka përzgjedhur dhe i ka dalluar mbi të tjerët. Ndër shkaqet e lartësimit dhe krenarisë së njeriut janë dituria e gjerë dhe e dobishme fetare dhe puna e sinqertë sipas saj. Është Allahu i Lartësuar që u mundëson të dashurve të tij dituri të thellë dhe punë të sinqertë, përmes së cilës afrohen tek Ai. Kështu, Ai sjell triumfin dhe krenarinë e të dashurve të Tij në tokë. Kjo mirësi e premtuar nga Allahu i Lartësuar përmes një ëndrre do të përfshinte të gjithë familjen e Jakubit (a.s), domethënë edhe vëllezërit e tij, të cilët u penduan më pas.