Landscape MP4 Vertical MP4

Sureja Er-Ra'd — Ajet 18 (Shqip) — Video

Er-Ra'd • Ajet 18 nga 43 • Shqip


لِلَّذِينَ اسْتَجَابُوا لِرَبِّهِمُ الْحُسْنَىٰ ۚ وَالَّذِينَ لَمْ يَسْتَجِيبُوا لَهُ لَوْ أَنَّ لَهُمْ مَا فِي الْأَرْضِ جَمِيعًا وَمِثْلَهُ مَعَهُ لَافْتَدَوْا بِهِ ۚ أُولَٰئِكَ لَهُمْ سُوءُ الْحِسَابِ وَمَأْوَاهُمْ جَهَنَّمُ ۖ وَبِئْسَ الْمِهَادُ 18
Përkthim:
Për ata që i gjegjen Zotit të tyre, i gjen e mira e madhe, e ata që nuk i gjegjen Atij – sikur të ishte e tyre e gjithë ç’ka në Tokë, dhe edhe aq (më tepër), ata do ta sakrifikonin atë (për të shpëtuar). Të atillëve, u është përgatitur llogari e rëndë; e strehimi i tyre është xhehennemi. E, sa shtrat i shëmtuar që është ai! Er-Ra'd 13:18
Tefsiri:

Për ata që i përgjigjen Zotit të tyre janë

(të gjitha)

gjërat e mira. -

Pasi qartësoi të vërtetën nga e kota, Allahu i Madhëruar tregon se njerëzit ndahen në dy grupe: Ata që i përgjigjen Zotit të tyre dhe të cilët meritojnë shpërblim. Për këta tregohet se çfarë shpërblimi i pret. Ata që nuk i përgjigjen Zotit të tyre dhe meritojnë ndëshkimin, i cili përmendet më pas. Për sa i përket grupit të parë, Allahu i Madhëruar thotë se ata i përgjigjen Zotit të tyre. Kjo do të thotë se zemrat e tyre hapen për t’u mbushur me dritën e Zotit dhe besimin e pastër. Trupi i tyre nënshtrohet për të zbatuar urdhëresat e Zotit dhe për t’u larguar nga ndalesat e Tij. Kështu, ata i përgjigjen Zotit të tyre në gjithçka që Ai dëshiron prej tyre. Këtyre fatlumëve Allahu i Madhëruar u ka premtuar atë që quhet “el husna”, domethënë, çdo gjë të mirë e të këndshme. Shpërblimi që ata do të marrin në këtë jetë, por edhe pas vdekjes, në përjetësi, është më i miri dhe më i mrekullueshmi. Siç e ka përshkruar Profeti (a.s): ata do të kenë atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe asnjë zemër nuk e ka imagjinuar. Ndërsa ata të cilët nuk i përgjigjën Zotit, edhe pse Ai ua sqaron plotësisht të vërtetën përmes shumë shembujve në Shpalljen e Tij, ata nuk kanë për ta parë të mirën, dhe gjendja e tyre do të jetë shumë e keqe. Për ta, Allahu i Lartësuar thotë:Ndërsa ata që nuk i përgjigjen Atij, edhe sikur të zotërojnë gjithçka që është në qiell dhe në Tokë, madje edhe një herë sa ajo, do t'i jepnin si kompensim

(për t'i shpëtuar ndëshkimit). - Ata do të jepnin si kompensim çdo pasuri të kësaj bote, ar e argjend qoftë, vetëm dhe vetëm të shpëtonin nga ndëshkimi i Ditës së Gjykimit. Por, sigurisht, kjo nuk ka për t’u pranuar prej tyre. E si mund të ndodhë diçka e tillë?! Ata të mjerë do të përballen me një llogari të vështirë, duke u marrë në përgjegjësi për çdo vepër të keqe. Ata do të përgjigjen një për një për detyrimet ndaj Allahut të Lartësuar dhe ndaj krijesave, detyrime që nuk i kanë respektuar. Allahu i Lartësuar shkruan dhe rendit gjithçka që ata bëjnë, prandaj dhe ata të mjerë do të thonë: "Të mjerët ne! Çfarë është ky libër, që nuk ka lënë asnjë vepër - të madhe apo të vogël -, pa e shënuar.?” Kështu thotë Allahu i Lartësuar në ajetin kuranor: “Kur Libri (i punëve)do t’u vihet përpara, ti do t’i shohësh gjynahqarët të frikësuar nga shënimet në të, që do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër, që nuk ka lënë asnjë vepër - të madhe apo të vogël -, pa e shënuar.” Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë bërë. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” [Kehf 49].

Ata do të kenë gjykimin më të rëndë dhe vendi i tyre është Xhehenemi. Eh, sa vendqëndrim i keq është ai! -

Pas gjithë kësaj llogarie të tmerrshme dhe të frikshme, vendqëndrimi i tyre i përhershëm do të jetë Xhehenemi. Ai është vendi ku janë mbledhur të gjitha llojet e ndëshkimit, i shoqëruar me uri dhe etje të dhimbshme. Zjarri në Xhehenem është i ndezur fort. Ushqimi i banorëve të tij do të jetë zekumi. Ata do të vuajnë edhe të ftohtin e tmerrshëm, zemherir-in e Xhehenemit e shumë ndëshkime të tjera, që Zoti i ka përmendur në Kur'an. Vend më i keq është ai i tyre.
Shko te videoja e plotë e sures