Landscape MP4 Vertical MP4

Sureja En-Nahl — Ajet 102 (Shqip) — Video

En-Nahl • Ajet 102 nga 128 • Shqip


قُلْ نَزَّلَهُ رُوحُ الْقُدُسِ مِنْ رَبِّكَ بِالْحَقِّ لِيُثَبِّتَ الَّذِينَ آمَنُوا وَهُدًى وَبُشْرَىٰ لِلْمُسْلِمِينَ 102
Përkthim:
Thuaj: “E ka sjellur (Kur’anin) Shpirti i pastër (Xhebraili) nga Zoti yt me të vërtetën, për t’i forcuar ata që besojnë – udhërrëfyes dhe sihariq për muslimanët”. En-Nahl 16:102
Tefsiri:

Thuaj: “Atë e solli Ruhul Kudus

(Shpirti i Shenjtë)

plot vërtetësi nga Zoti yt...” -

Ai ishte Xhibrili, meleku i dërguar nga Zoti. Ai ishte një i dërguar i pastër nga çdo mangësi, larg tradhtisë dhe çdo prirjeje të keqe. Allahu i Madhëruar na tregon për Kur'anin se: “Ai zbriti plot vërtetësi nga Zoti yt.” Kur'ani përmban të vërtetën e sigurt. Të vërteta janë rrëfimet dhe kumtet e tij. Të vërtetën mbështesin urdhëresat e ndalesat e tij. Askush nuk ka mundësi të cenojë vërtetësinë dhe saktësinë e Kur'anit. Është shumë e thjeshtë për t'u kuptuar: nëse përmbajtja e Kur'anit është e vërtetë, atëherë çdo gjë që e kundërshton atë është e kotë dhe e papranueshme. Përmes këtij libri, që përmban të vërtetën e sigurt dhe që u zbrit me besnikëri nga Xhibrili (a.s), Allahu i Madhëruar forcon besimtarët:

“... për t’i përforcuar ata që besuan...” -

Kështu i forconte Allahu besimtarët gjatë kohës kur shpalleshin ajetet, kohë pas kohe. Në këtë mënyrë, e vërteta hynte në zemrat e tyre pak e nga pak, derisa imani i tyre u forcua dhe u bë i patundur si malet. Besimtarët e dinin se Kur'ani ishte e vërteta nga Zoti i tyre, prandaj sa herë që lexonin ndonjë ligj, që më pas Zoti e abrogonte, ata e dinin mirë se Zoti do ta zëvendësonte me një ligj tjetër ose të njëjtë me të, ose më të mirë se ai që abrogohej. Ata arrinin ta kuptonin se ligji i ri ishte më afër urtësisë së Zotit dhe logjikës së saktë dhe më i përshtatshmi për kohën.

“... dhe për të qenë udhërrëfyes e përgëzim për myslimanët.” -

Kur'ani i udhëzon muslimanët në realitetin e çdo çështjeje dhe ua qartëson atyre të vërtetën nga e kota, udhëzimin e drejtë nga devijimi. Kur'ani i përgëzon besimtarët se do të kenë shpërblim të mirë në Xhenetet e mirësisë, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Sjellja e këtij libri pak e nga pak shërbeu si udhëzim e përgëzim më i fortë dhe më i plotë për besimtarët, sesa po të zbriste njëherësh, pasi mendjet e tyre mund të çoroditeshin. Allahu i Madhëruar e shpallte pjesë-pjesë Kur'anin, që të ishte udhëzues dhe përgëzues për besimtarët në kohën dhe rrethanat kur shpallej. Kështu ata e kuptonin mirë dhe arsyetonin drejt rreth tij dhe kuptimeve që ishin dashur përmes këtyre ajeteve dhe zemrat e tyre mbusheshin me iman. Me vijimin e ajeteve të tjera të ngjashme, me madhështinë dhe udhëzimin që ofronin, zemrat dhe imani i tyre forcoheshin edhe më shumë. Kjo është arsyeja që sahabët, përmes studimit të vazhdueshëm dhe jetës sipas Kur'anit, arritën gradat më të larta. Karakteri dhe morali i tyre u ndryshuan rrënjësisht dalëngadalë. Përmes Kur'anit, që pushtoi shpirtin dhe zemrën e tyre, ata arritën nivelet më të larta të moralit, duke u bërë të paarritshëm për të gjithë brezat që do të vinin. Edhe brezat pasues kanë nevojë që zemrat e tyre të mbushen me njohuritë e Kur'anit dhe moralin që ai urdhëron. Mendjet e tyre kanë nevojë të domosdoshme që të ndriçohen me dritën e tij, për të gjetur rrugën në terrin e humbjes dhe të paditurisë. Vetëm kështu do të rregullohen çështjet e tyre të fesë, por edhe të jetës.
X Facebook Minutemailer Stellar WhatsApp Reddit
Shko te videoja e plotë e sures
E mëparshme En-Nahl • Ajet 101 E ardhshme En-Nahl • Ajet 103