Përshkrimi më i keq është për ata që nuk besojnë në jetën e përjetshme. -
Atyre u shkojnë përshkrimet më të këqija, me mangësitë më të ulta.Ndërsa Allahut i takon përshkrimi më i lartë. -
Çdo cilësi e lartë dhe atribut absolut i takon veç Allahut. Allahut i takon shembulli dhe përshkrimi më i lartë në zemrat e besimtarëve dhe të dashurve të Tij të zgjedhur. Zemrat e tyre janë të mbushura me madhërimin, lartësimin, lavdërimin e dashurinë për Të. Ata kthehen gjithmonë të penduar tek Ai dhe të etur për ta njohur sa më shumë.Ai është Ngadhënjimtari dhe i Urti. -
Allahu është El Aziz - Ngadhënjimtari, Ai i cili ka nënshtruar nën sundimin e pushtetin e Tij të gjitha krijesat. Të gjitha krijesat i janë nënshtruar e përulur Ngadhënjimtarit. Por Ai është edhe El Hakim - I Urti, i cili i vendos të gjitha gjërat në vendin e vet. Ai urdhëron dhe ndalon veçse për ato gjëra për të cilat meriton të lavdërohet e falënderohet, sepse ato tregojnë se Allahu është i Plotë e Absolut në çdo gjë që urdhëron dhe në çdo gjë që ndalon. Pasi përmendi shpifjet dhe trillimet e keqbërësve kundër Tij, i Lartësuari flet për durimin, butësinë dhe mëshirën e Tij: