Landscape MP4 Vertical MP4

Sureja En-Nahl — Ajet 75 (Shqip) — Video

En-Nahl • Ajet 75 nga 128 • Shqip


ضَرَبَ اللَّهُ مَثَلًا عَبْدًا مَمْلُوكًا لَا يَقْدِرُ عَلَىٰ شَيْءٍ وَمَنْ رَزَقْنَاهُ مِنَّا رِزْقًا حَسَنًا فَهُوَ يُنْفِقُ مِنْهُ سِرًّا وَجَهْرًا ۖ هَلْ يَسْتَوُونَ ۚ الْحَمْدُ لِلَّهِ ۚ بَلْ أَكْثَرُهُمْ لَا يَعْلَمُونَ 75
Përkthim:
Perëndia ka bërë krahasim shembullin e skllavit, që s’ka mundësi për asgjë, dhe atë që e kemi furnizuar Ne me dhuntitë e mira, e ai nga ato – jep fshehtazi dhe haptazi. A janë këta njëlloj? Falenderimi është për Perëndinë! Por shumica e tyre nuk dinë. En-Nahl 16:75
Tefsiri:
Allahu sjell si shembull një skllav që është pronë e dikujt tjetër dhe që nuk ka në dorë asgjë dhe një tjetër, të cilin ne e kemi begatuar me një rizk të mirë e ai jep nga ai

(që i kemi dhënë)

fshehtas e haptas. A janë këta të dy të barabartë?! -

Janë dy shembuj, që na bëjnë më të qartë kur mendojmë dhe krahasojmë Allahun dhe idhujt, që adhurojnë të paditurit. Njëri është rob ose skllav, pronë e dikujt. Ai nuk ka në dorë as veten e vet dhe nuk zotëron asgjë në këtë jetë. Ndërsa tjetri është një njeri i lirë dhe i pasur, të cilin Zoti e ka begatuar me shumë mirësi dhe me pasuri. Megjithatë, ky njeri është bujar dhe e do bamirësinë, madje ai shpenzon prej mirësive që i ka dhënë Zoti, haptazi e fshehtazi. Pyetja që shtrohet është: A është njëlloj ky me të parin?! Sigurisht që nuk janë njëlloj, edhe pse të dy janë krijesa dhe nuk do të ishte e pamundur që të ishin njëlloj. Atëherë, nëse gjykojmë se këta dy nuk janë njëlloj, atëherë si mund të jenë njëlloj skllavi i pafuqishëm e i varfër që nuk ka asnjë lloj pushteti e mundësie, që është i varfër nga çdo drejtim, me Zotin e botëve, Krijuesin, Pronarin e të gjitha gjërave, të Plotpushtetshmit, që ka fuqi për gjithçka?! Prandaj i Madhëruari i thur lavdërime Vetes së Tij, duke treguar se është i vetmi që meriton lavdërimin, dashurinë e krijesave, përlëvdimet dhe mirënjohjen:

Të gjitha lavdërimet i takojnë vetëm Allahut,... -

E gjithë mirënjohja, dashuria dhe përlëvdimet i takojnë vetëm Allahut. Atëherë, përse idhujtarët i barazojnë idhujt e tyre me Allahun. Përgjigjja vjen:

...por shumica e tyre nuk e dinë. -

Nëse do të kishin dituri të vërtetë, nuk do të kishin guximin e paturpësinë të binin në idhujtari, që është padrejtësia më e madhe.
Shko te videoja e plotë e sures