Ne kemi vënë mbi zemrat e tyre mbulesë që të mos e kuptojnë atë
(Kur’anin), - Kjo vulosje i pengon ata që të kuptojnë ajetet e Allahut, edhe pse mund t’i dëgjojnë ato me veshët e tyre. Ata nuk arrijnë të kuptojnë e as të përfitojnë nga ato ajete. Për ta, Allahu thotë gjithashtu:... dhe në veshët e tyre shurdhërinë.... -
Veshët i kanë të shurdhuar, prandaj ajetet e Allahut nuk arrijnë në zemrën e tyre, edhe pse kalojnë në veshët e tyre. Ai dëgjim nuk u sjell asnjë dobi. Duke qenë në këtë gjendje, nuk ka asnjë rrugë për udhëzimin e tyre. Allahu thotë:... Prandaj edhe nëse i thërret në rrugë të drejtë, ata nuk do ta pranojnë kurrë udhëzimin. -
Ftesës mund t’i përgjigjen ata që nuk kanë ditur gjë më parë. Ndërsa ata të cilët e kanë mësuar njëherë të vërtetën dhe pastaj e braktisin atë, ata tregojnë se parapëlqejnë rrugën e humbjes. Kjo është arsyeja që Allahu i ndëshkon drejtësisht me vulosjen e zemrave. Nuk ka asnjë mënyrë për udhëzimin e tyre. Ky ajet është një kërcënim shumë i frikshëm për ata që e njohin të vërtetën dhe pastaj e braktisin atë. Këta janë të rrezikuar që të pengohen përfundimisht për të gjetur udhëzimin, dhe kështu kurrë nuk kanë për ta gjetur atë. I mençuri qëndron sa më larg kësaj vepre të frikshme. Në vijim, Allahu i Madhëruar tregon faljen e mëshirën e madhe të Tij për njerëzit. Ai i fal gabimet dhe ua pranon pendimin atyre që pendohen.