Landscape MP4 Vertical MP4

Sureja El-Bekare — Ajet 188 (Shqip) — Video

El-Bekare • Ajet 188 nga 286 • Shqip


وَلَا تَأْكُلُوا أَمْوَالَكُمْ بَيْنَكُمْ بِالْبَاطِلِ وَتُدْلُوا بِهَا إِلَى الْحُكَّامِ لِتَأْكُلُوا فَرِيقًا مِنْ أَمْوَالِ النَّاسِ بِالْإِثْمِ وَأَنْتُمْ تَعْلَمُونَ 188
Përkthim:
Mos i hani pasurinë njëri-tjetrit me pa të drejtë! Dhe mos u bëni mitdhënës te gjykatësit për t’i ngrënë njerëzve me tradhëti një pjesë të mallit, se ju e dini (që këto janë mëkate). El-Bekare 2:188
Tefsiri:

Mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar. -

Kuptimi: Mos i merrni pasuritë tuaja me padrejtësi. Fjala e përdorur është “emuâlekum”– “pasuritë tuaja”, edhe pse qëllimi është “pasuritë e të tjerëve”. Kështu, Allahu i Lartësuar na udhëzon që ne ta konsiderojmë shoqërinë si një bashkësi të vetme, ku nuk ka “ne” dhe “të tjerë”. Pasuria e vëllait konsiderohet si pasuria ime. Ashtu sikurse nuk duam që të na i marrin pasurinë tonë pa të drejtë, po të njëjtën gjë duhet të dëshirojmë edhe për vëllain musliman. Nëse do t'ia lejonim vetes që të merrnim pasurinë e vëllait pa të drejtë, po kështu duhet të pranonim që edhe të tjerët të na merrnin pasurinë tonë pa të drejtë. Duke qenë se fitimi dhe marja e pasurisë prej tjetrit është dy llojesh: e drejtë dhe e padrejtë, Allahu i Lartësuar përcaktoi si të ndaluar vetëm përfitimin me padrejtësi. Ka shumë forma përfitimi të padrejta, prej të cilave mund të përmendim:

1 Marrja e pasurisë nëpërmjet grabitjes, vjedhjes, mashtrimit, shkeljes së amanetit e të tjera si këto.

2 Kërkimi dhe pranimi i rryshfeteve, përfitimi nga fajdet, kumari e të tjera të ngjashme. Të gjitha këto mënyra fitimi janë të padrejta dhe nuk janë të lejuara nga Sheriati.

3 Marrja e pasurisë së njerëzve duke ngrënë në peshë, duke mashtruar në shitblerje, qiradhënie etj.

4 Të marrësh tjetrin në punë dhe të mos i japësh hakun që i takon (sipas marrëveshjes).

5 Fitimi që merr njeriu për një punë, së cilës nuk ia bën hyzmetin ashtu siç duhet.

6 Fitimi që merret për adhurime, të cilat nuk mund të jenë të sakta nëse me to synohet shpërblimi material, e jo kënaqësia e Allahut.

7 Përfitimi prej zekatit dhe sadakasë, nëse nuk hyn në kategorinë e njerëzve që përfitojnë prej tyre. E tillë është edhe marrja prej kësaj pasurie më tepër sesa është e përcaktuar nga Sheriati, ose më tepër sesa është e nevojshme.Të gjitha këto që u përmendën janë mënyra të ndaluara të përfitimit të pasurisë së njerëzve. Këto mënyra janë të palejueshme, edhe sikur të arrihen nëpërmjet gjykatësve, të cilëve u është dhënë rryshfet.Mos ndërhyni te gjykatësit me rryshfete, për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve të tjerë, kur ju e dini. -

Shpesh, ndodh që njerëz të padrejtë, me mundësitë dhe argumentimin e tyre, i bindin gjykatësit që t’i lejojnë të përfitojnë padrejtësisht nga pasuritë e të tjerëve. Por, sido që të jetë, gjykimi i një gjykatësi nuk e bën të lejuar tek Allahu atë që është haram dhe nuk e bën haram atë që është e lejuar. Tek Allahu i Lartësuar çështjet mbeten gjithnjë ashtu sikurse janë në të vërtetë. Pra, njeriu i padrejtë të mos mendojë kurrë që vendimi i gjykatësit në favor të tij është i pranueshëm tek Allahu, sepse Allahu i Lartësuar i njeh fshehtësitë deri në imtësi. Atëherë, nëse dikush fiton padrejtësisht një pasuri, në bazë të një vendimi gjykate, e ka përsëri haram që ta marrë atë pasuri. Nëse ai e merr, konsiderohet prej atyre që hanë pasurinë e njerëzve pa të drejtë, prandaj meriton ndëshkimin e Allahut të Lartësuar. Ndëshkimi i tij është i meritueshëm, sepse ai e ka grabitur pasurinë e tjetrit me vetëdije dhe me mashtrim. Po kështu edhe avokati i çështjes së këtij të padrejti duhet të mos bëhet palë me padrejtësinë. Pra, nëse ai sigurohet që klienti i tij nuk ka të drejtë në pretendimet e veta, atëherë nuk i lejohet që ta mbrojë, sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin (Kur'anin) me të vërtetën, që të gjykosh mes njerëzve me atë që të mësoi Allahu. Mos u dil kurrë në krah tradhtarëve! Kërkoji falje Allahut, sepse Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. Mos polemizo në emër të atyre që tradhtojnë vetveten! Allahu nuk i do ata që janë tradhtarë e gjynahqarë.” [Nisa, 105 - 107].
Shko te videoja e plotë e sures