Landscape MP4 Vertical MP4

Sureja El-Bekare — Ajet 235 (Shqip) — Video

El-Bekare • Ajet 235 nga 286 • Shqip


وَلَا جُنَاحَ عَلَيْكُمْ فِيمَا عَرَّضْتُمْ بِهِ مِنْ خِطْبَةِ النِّسَاءِ أَوْ أَكْنَنْتُمْ فِي أَنْفُسِكُمْ ۚ عَلِمَ اللَّهُ أَنَّكُمْ سَتَذْكُرُونَهُنَّ وَلَٰكِنْ لَا تُوَاعِدُوهُنَّ سِرًّا إِلَّا أَنْ تَقُولُوا قَوْلًا مَعْرُوفًا ۚ وَلَا تَعْزِمُوا عُقْدَةَ النِّكَاحِ حَتَّىٰ يَبْلُغَ الْكِتَابُ أَجَلَهُ ۚ وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ يَعْلَمُ مَا فِي أَنْفُسِكُمْ فَاحْذَرُوهُ ۚ وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ غَفُورٌ حَلِيمٌ 235
Përkthim:
Dhe nuk është mëkat për ju nëse atyre grave ju jepni sinjal (shenj) se do t’i kërkoni, ose, nëse këtë qëllim e fshehni në shpirtin tuaj. Perëndia e di se do të mendoni për to, mos u premtoni atyre as fshehurazi, por bisedoni me to vetëm mirësisht. Dhe mos vendosni për martesë para se të kalojë afati i paraparë i pritjes. Dhe dinie se Perëndia e di ç’ka në zemrat tuaja, andaj ruajuni prej Tij, dhe dinie se Ai është i butë dhe falë (nuk nxitonnë dënime). El-Bekare 2:235
Tefsiri:
Nuk është gjynah për ju, nëse, tërthorazi, u kërkoni dorën për martesë këtyre grave apo nëse e mbani të fshehtë këtë qëllim në veten tuaj. Allahu e di se ju do t’ua shprehni atyre

(dëshirën për martesë)

...” -

Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar sjell një gjykim për gratë të cilave u kanë vdekur burrat dhe që janë në kohëpritjen e tyre. Ky gjykim vlen edhe për gratë e divorcuara për herë të tretë (pra me talak bain), që janë në kohëpritje. Pra, nuk i lejohet asnjë burri që t'u shfaqë këtyre dy kategorive të grave propozimin për martesë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Më tej, i Lartësuari thotë:

...por mos u premtoni fshehurazi... -

Pra, nuk lejohet që grave të këtyre dy kategorive t’u shprehet hapur propozimi për martesë, gjatë kohës së pritjes së tyre, por hedhja e propozimit në mënyrë indirekte është e tolerueshme nga Allahu i Lartësuar, sikurse kuptohet nga ajeti. Mes dy rasteve ka ndryshim. Nëse dikush i propozon hapur për martesë një gruaje të tillë, kjo sjell shumë probleme. Për shembull, kjo mund ta shtyjë gruan që ta përshpejtojë qëllimisht përfundimin e kohëpritjes së saj, duke gënjyer se i kanë mbaruar të trija ciklet e periodave të saj, e kështu të martohet me tjetrin. Kjo, sigurisht, që është një padrejtësi e madhe në shumë aspekte. Së pari, në këtë mënyrë, gruaja shkel të drejtën e burrit të saj të parë, duke mos plotësuar kohën e pritjes për të. Së dyti, ajo bashkohet me dikë tjetër para kohës kur i lejohet një gjë e tillë, prandaj kjo martesë e dytë quhet e parregullt dhe e paligjshme. Përveç këtyre që përmendëm, ka edhe shumë pasoja të tjera. Ky ajet dëshmon për rëndësinë që i jep Sheriati ndalimit të së keqes dhe rrugëve të saj. Në Islam është e ndaluar jo vetëm e keqja, por edhe rrugët e mjetet që të çojnë tek ajo. Një rregull i madh i Islamit thotë: "Çdo mjet dhe rrugë që të çon në haram është haram." Ky ajet, gjithashtu, tregon për rëndësinë e madhe që Sheriati u kushton të drejtave dhe përgjegjësive bashkëshortore në Islam. Fjalët e tërthorta, që e nënkuptojnë propozimin, nuk janë të ndaluara, sepse ato mund të kuptojnë edhe gjëra të tjera, përveç martesës:

...përveç ndonjë fjale të lejueshme... -

Fjalë të tilla janë, për shembull: “Unë do të doja të martohesha këto kohë”, ose: “Kur të mbarosh pritjen, do të doja të flisnim bashkë për diçka”, etj. Allahu i Lartësuar e ka lejuar propozimin e tërthortë, sepse ai nuk sjell dëmet që shkakton propozimi i drejtpërdrejtë. Ndërhyrjet jo të drejtpërdrejta janë lejuar, sepse shpirti i njeriut i kërkon me ngut të tilla çështje. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar ka lënë një lloj hapësire, që njerëzit të përmbushin kërkesat e tyre të forta në këtë aspekt. Ai na tregon se nuk kemi gjynah për dy gjëra: “...nëse, tërthorazi, u kërkoni dorën për martesë këtyre grave apo nëse e mbani të fshehtë këtë qëllim në veten tuaj”.

Allahu e di se ju do t’ua shprehni atyre

(dëshirën për martesë), - Allahu i Lartësuar e di shumë mirë çdo dëshirë të njerëzve për t'u lidhur në martesë, por – sikurse u tha më lart – nuk lejohet propozimi i qartë dhe i drejtpërdrejtë për martesë ndaj grave që janë në pritje. Në fakt, ato që lejohen janë vetëm fjalët e tërthorta, brenda normave të Sheriatit. Ndërsa për sa i përket nënshkrimit të aktit të martesës, ai nuk lejohet absolutisht, para se të përfundojë koha e pritjes, siç thotë i Lartësuari:

Mos lidhni martesë, derisa të përfundojë afati i pritjes së tyre

(id-deh).” - Pra, nuk lejohet në asnjë mënyrë lidhja e martesës së re para mbarimit të kohës së pritjes.

Ta dini se Allahu e di se çfarë fshihni në zemrën tuaj, prandaj kini kujdes prej Tij! -

Jini të kujdesshëm në çdo gjë që doni të bëni. Synoni të mirën dhe largojuni qëllimeve të këqija. Këtë ta bëni duke shpresuar shpërblimin e Zotit dhe duke iu frikësuar ndëshkimit të Tij.

Dhe dijeni se Allahu është Falës i Madh dhe i Butë. -

Allahu është Falës i madh (Gafûrun) i çdokujt që bën të tilla gabime, por që kthehet i penduar dhe i kërkon falje Zotit të tij. Ai është i Butë (Halîm), që nuk nxitohet të ndëshkojë të pabindurit dhe gjynahqarët për të këqijat e tyre, edhe pse është i Plotfuqishëm për t’i ndëshkuar ata.
Shko te videoja e plotë e sures