…e mos u bëni mohuesit e parë të tij! –
Pra, të mos bëheni mohues të Kur’ânit dhe të Profetit (s.a.u.s). Vëreni me kujdes! Allahu i Lartësuar nuk ka thënë thjesht: "dhe mos u bëni mohues”, por ka thënë: “…mos u bëni mohuesit e parë të tij”. Vërtetësia e kësaj fjale zbulon një padrejtësi të madhe të tyre, sepse - sikurse e përmendëm më sipër - ata duhej të ishin të parët që ta besonin. Por duke u bërë mohuesit e parë, ata treguan nxitimin (e padrejtë) e tyre në mohimin dhe refuzimin e tij. Kjo nga njëra anë. Nga ana tjetër, duke qenë të parët që mohonin (të vërtetën e qartë), ata u bënë shembujt e të tjerëve, të cilët do t’i pasonin në rrugën e tyre. Kështu, ata do të mbartin në shpinën e tyre edhe gjynahet e pasuesve, të cilët i përhumbën dhe i devijuan nga rruga e drejtë. Në suren Maide, ajetet 77-79, i Madhëruari thotë: “Thuaju: “O ithtarë të Librit! Mos e teproni me fenë tuaj, duke dalë jashtë të vërtetës, dhe mos shkoni pas dëshirave të njerëzve para jush, që kanë humbur rrugën, kanë shkaktuar humbjen e shumë të tjerëve dhe që janë larguar shumë prej rrugës së drejtë”. Ata bij të Israilit që mohuan të vërtetën u mallkuan prej gjuhës së Daudit dhe Isait, birit të Merjemes. Ndodhi kështu, sepse ata kundërshtuan dhe e tepruan. Ata nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga të këqijat që bënin. Sa e shëmtuar ishte sjellja e tyre!” Ndërsa në suren Ankebut, ajeti 12, Ai thotë: “Ata që nuk besojnë u thonë atyre që besojnë: “Ejani në rrugën (në fenë)tonë, se gjynahet tuaja do t’i bartim ne! Po, në fakt, ata nuk do të bartin asgjë nga gjunahet e tyre. Në të vërtetë, ata janë gënjeshtarë. Ata do të bartin veç barrën e vet, e me atë të vetën edhe barrë të tjera, ndërsa Ditën e Kijametit do të merren në përgjegjësi për atë që kanë trilluar”. Por cili është shkaku që i detyron ata të bëjnë këtë zgjedhje? Atëherë, Allahu i Lartësuar përmend shkakun e saj dhe i ndalon ata nga kjo vepër, duke thënë:Mos i fshihni ajetet e Mia për hir të një çmimi të ulët! –
Kuptimi: Ajetet (argumentet) e Mia mos i ndërroni apo mos i shkëmbeni me vlera të pakta, që ju mund të përjetoni në të gjitha aspektet e jetës. Mos i shkëmbeni ato me pushtete dhe ofiqe që keni frikë se mos ju largohen nëse i përkushtoheni besimit të drejtë në Allahun dhe në Profetin e Tij. Me fjalë të tjera, mos i shpenzoni ajetet e Allahut për të blerë disa dobi të përkohshme e të pakta. Kurrë mos u jepni përparësi dobive të pakta të dynjasë, kundrejt besimit dhe pasimit të ajeteve (shpalljeve) të Allahut të Lartësuar. Për të arritur këtë triumf mbi vetveten, vjen një urdhër i prerë:…por vetëm prej Meje ruhuni! –
Kuptimi: Asgjëje tjetër të mos i druheni, por vetëm Mua. Nëse do t'i druheni vetëm Allahut të Lartësuar, kjo do t’ju bëjë që t'i jepni përparësi besimit në ajetet (shpalljet) e Tij, kundrejt kënaqësive dhe interesave të kësaj bote të pavlerë dhe të parëndësishme. Po ta shohim anasjelltas, do të thonim: Nëse ju përzgjidhni çmimin e ulët të këmbimit, atëherë kjo dëshmon për zbrazëtinë e zemrave tuaja nga takua-ja (frika prej Allahut) dhe për mosvlerësim të madhështisë së Tij. Më pas, i Madhëruari thotë: