Përkundrazi, do t'u thotë: “Bëhuni dijetarë dhe edukatorë,... -
Pra, profetët nuk ju urdhërojnë kurrë për vepra të shëmtuara e të ulta, porse ata ju urdhërojnë që të jeni dijetarë të urtë e të butë dhe edukatorë të mirë. Ju duhet t’u mësoni njerëzve dije të drejtë dhe të pastër. Ju duhet t’i edukoni ata gradualisht, duke filluar me gjërat të vogla, para të mëdhave. Megjithatë, ju kurrë nuk mund të jeni edukatorë të mirë, nëse nuk e jetësoni dijen që keni marë. Profetët ju urdhërojnë për dije të dobishme, të saktë dhe të drejtë, dhe për të punuar sinqerisht sipas saj. Pastaj, ju duhet të ftoni edhe të tjerët që të punojnë sipas këtij udhëzimi madhështor, të dhuruar nga Zoti i gjithësisë. Me këto tri mënyra mund të arrihet lumturia në të dyja jetët. Dija e saktë dhe e vërtetë, puna sipas saj dhe edukimi i njerëzve me të përbëjnë rrugën e vetme që siguron lumturinë e robit në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Çrregullimet dhe defektet në jetën e njeriut varen nga mangësitë që ai ka në këto tri aspekte. Pastaj Allahu i Lartësuar tregon mënyrën se si të bëhesh edukator dhe se çfarë e ndihmon njeriun për t’u bërë i tillë. Pra, Allahu i Lartësuar jo vetëm që na urdhëron të jemi edukatorë të njerëzimit, por na tregon edhe mënyrën për të qenë të tillë. Ai thotë:Bëhuni dijetarë dhe edukatorë, duke u mësuar njerëzve Librin dhe duke e studiuar vetë atë”. -
Jini edukatorë të njerëzimit, dhe të tillë mund të jeni veçse duke u mësuar njerëzve Librin, pasi ta keni mësuar vetë, dhe jo vetëm ta keni mësuar, por ta keni studiuar me kujdes, sepse nëse studion me kujdes e përqendrim, dija zë rrënjë të thella në zemër dhe jep frytet e saj në fjalët dhe në veprat që kryhen. Pastaj, pasi ta keni mësuar dhe studiuar dijen, dhe pasi të keni punuar sinqerisht me të, atëherë mësojani atë të tjerëve. Vetëm kështu mund të jeni edukatorë të njerëzimit, dhe kjo është ajo që kanë urdhëruar profetët e Zotit.