Landscape MP4 Vertical MP4

Sureja En-Nisa — Ajet 79 (Shqip) — Video

En-Nisa • Ajet 79 nga 176 • Shqip


مَا أَصَابَكَ مِنْ حَسَنَةٍ فَمِنَ اللَّهِ ۖ وَمَا أَصَابَكَ مِنْ سَيِّئَةٍ فَمِنْ نَفْسِكَ ۚ وَأَرْسَلْنَاكَ لِلنَّاسِ رَسُولًا ۚ وَكَفَىٰ بِاللَّهِ شَهِيدًا 79
Përkthim:
E mira që të gjen ty o njeri, prej Perëndisë është, kurse e keqja që të godit, është nga merita jote. Na të kemi dërguar ty (o Muhammed!) për Profet të të gjithë njerëzve. E, Perëndia mjafton për dëshmitar (të profetnisë sate). En-Nisa 4:79
Tefsiri:

O njeri! Çdo e mirë që të vjen ty është nga Allahu, ndërsa çdo e keqe që të godet është nga vetja jote. -

Pra, çdo e mirë e kësaj dynjaje dhe çdo e mirë e fesë vjen vetëm prej Zotit. Është Ai që na i dhuron me bujarinë e Tij dhe i lehtëson shkaqet për t’i arritur ato. Ndërkohë, çdo e keqe që na godet, ndodh sepse e meritojmë, prej gjynaheve dhe padrejtësive që i bëjmë me duart tona dhe me zgjedhjen tonë të lirë. Megjithatë, falja e Zotit është shumë herë më e madhe se ndëshkimi i Tij. Allahu i Lartësuar u ka hapur krijesave portat e mirësisë dhe i ka porositur që të hyjnë në to, që të përfitojnë nga mirësia dhe bujaria e Tij. Ai, gjithashtu, u ka treguar atyre se gjynahet janë pengesa që të privojnë nga mirësitë dhe bujaria e Tij. Nëse njerëzit i veprojnë ato, atëherë të qortojnë veçse vetveten, sepse vetëm ata janë shkaku i privimit nga mirësia dhe bujaria e Zotit të tyre. Pastaj Allahu i Lartësuar na tregon për gjithëpërfshirjen e Shpalljes së dhënë Profetit të Tij, Muhamedit (a.s.):

Ne të dërguam ty

(O Muhamed)

si Profet për mbarë botën. Mjafton që Allahu është dëshmitar për këtë. -

Mjafton që Allahu është dëshmitar për këtë fakt. Është Ai që e ndihmoi dhe mbështeti Profetin (a.s.) me mrekulli. Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Thuaj: “Kush është Ai që e ka dëshminë më të fortë?” Thuaj: “Allahu është dëshmues mes meje dhe jush. Mua më është shpallur ky Kur'an, që me të t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet. Vallë, ju po dëshmoni se veç Allahut, ka edhe zota të tjerë?!” Thuaj: “Jo. Unë nuk dëshmoj.”! Ai është vetëm Një Zot, dhe unë distancohem nga gjithçka që ju adhuroni (përveç Tij)!” [En’am 19]. Duke qenë se Allahu është Absolut, i Plotë, Gjithëpërfshirës dhe i Madhërishëm në dijen, pushtetin dhe urtësinë e Tij, duke vërejtur gjithashtu se Ai e ka ndihmuar dhe mbështetur shumë Muhamedin (a.s.), atëherë lehtësisht dilet në përfundimin se ai ishte Profeti i vërtetë i Allahut. Nëse Muhamedi (a.s.) do të trillonte ndonjë fjalë të paqenë për Allahun e Madhërishëm, Ai do t’ia këpuste arterien e zemrës, siç thotë vetë i Lartësuari: “Sikur ai të trillonte për Ne ndonjë fjalë, Ne do ta kapnim atë me fuqinë Tonë, E pastaj do t’ia këputnim arterien e zemrës. E askush prej jush nuk do të mund të ndërhynte për mbrojtjen e tij. Ai (Kur'ani) është këshillë për të devotshmit. S’ka dyshim se Ne dimë që ndër ju ka edhe mohues. Ai (Kur'ani) pa dyshim do të jetë dëshpërim për jobesimtarët. Ai (Kur'ani) është e vërteta e sigurt! Prandaj, ti lartësoje nga të metat Zotin tënd të Madhëruar!” [Hakka 44-52].
X Facebook Minutemailer Stellar WhatsApp Reddit
Shko te videoja e plotë e sures
E mëparshme En-Nisa • Ajet 78 E ardhshme En-Nisa • Ajet 80