Landscape MP4 Vertical MP4

Sureja Gafir — Ajet 3 (Shqip) — Video

Gafir • Ajet 3 nga 85 • Shqip


غَافِرِ الذَّنْبِ وَقَابِلِ التَّوْبِ شَدِيدِ الْعِقَابِ ذِي الطَّوْلِ ۖ لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ۖ إِلَيْهِ الْمَصِيرُ 3
Përkthim:
I cili falë mëkatet dhe pranon pendimin, që dënon ashpër, dhe është pronar i të mirave; nuk ka zot tjetër përveç Tij dhe tek Ai është kthimi. Gafir 40:3
Tefsiri:
Pjesë nga tefsiri i Gafir 40:1
Ha, Mim. Shpallja e këtij Libri është prej Allahut, Ngadhënjimtarit, të Gjithëditurit, Falësit të gjynahit dhe Pranuesit të pendimit, që ndëshkon ashpër por është dhe Bamirës i madh. -

Në ajet flitet për Shpalljen e Allahut të Madhërishëm, për Librin e Tij. Kur'ani është Shpallja e të Madhëruarit, të vetmit që meriton adhurimet, sepse Ai është i vetmi Absolut, i Plotë, i Pakrahasueshëm dhe i Pashembullt në veprat e Tij. Allahu është El Azizu - Krenari, Ngadhënjimtari, i Cili, me krenarinë e Tij, ka nënshtruar e mposhtur çdo krijesë. Ai është El Alim - i Gjithëdituri, Gafiru Dhenbi - Falës i gjynaheve për ata që gabojnë e Pranues i pendimit për ata që pendohen. Por Allahu është edhe Shedidul Ikab - Ndëshkues i rreptë për këdo që ka paturpësinë të zhytet në gjynahe dhe nuk pendohet prej tyre. Ai është Dhuttauli- Dhurues e Bamirës i madh, i Cili ka përfshirë gjithçka me bamirësinë e Tij. Pas gjithë këtyre pohimeve për Veten e Vet, Allahu i Madhëruar tregon se është i vetmi që meriton adhurimin dhe të Cilit duhet t’i përkushtohen veprat me sinqeritet të plotë:

Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij dhe tek Ai do të kthehen të gjithë. -

Ekziston një lidhje e ngushtë mes faktit që Kur'ani është shpallur prej Allahut dhe përmendjes së këtyre emrave dhe cilësive të Tij të mrekullueshme. Këta emra e cilësi janë pikërisht lënda që përmban dhe shtjellon Kur'ani i shpallur nga i Madhërishmi, sepse Kur'ani është:

1 ose prezantim i emrave, cilësive dhe veprave të Allahut, sikurse ndodh në fillim të kësaj sureje;

2 ose rrëfim i ngjarjeve të panjohura, që i përkasin së shkuarës e së ardhmes, të cilat vijnë nga i Gjithëdituri;

3 ose përshkrim i mirësive e begative të mëdha të premtuara nga i Madhërishmi, duke treguar urdhrat e porositë nëpërmjet të cilave arrihen këto mirësi, të cilat, në ajetin e mësipërm, i gjen te dhënia e emrit të Tij Dhuttauli - Dhurues e Bamirës i madh, sepse nuk ka mirësi më të madhe për robërit, sesa Shpallja nga Mëshirëploti.

4 Në Kur'an tregohet, gjithashtu, rreth zemërimit të Zotit dhe ndëshkimit të ashpër të Tij, si edhe rreth atyre veprave që e shkaktojnë atë. Në ajetin në fjalë, këtë e tregon emërtimi Shedidul Ikab.

5 Kur'ani është ftesë drejtuar gjynahqarëve e gabimtarëve për pendim dhe kërkim faljeje. Në ajet, për këtë tregon emërtimi Gafiru Dhenbi - Falës i Madh i gjynaheve.

6 Kur'ani është pohim i faktit se Allahu është i vetmi Zot, që meriton dashurinë dhe madhërimin prej krijesave, duke sjellë për këtë të vërtetë argumente të shumta, duke ndaluar nga adhurimi i çdo gjëjë tjetër veç Allahut e duke dëshmuar se sa padrejtësi e madhe është idhujtaria, për ta urryer atë dhe për të kërcënuar ata që e ushtrojnë. Në ajetin në fjalë, këtë tregon fragmenti: “Lâ ilâhe il-lâ hû” – “Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij”.

7 Kur'ani tregon, gjithashtu, ligjin e shpërblimit me drejtësi të Allahut, nëpërmjet të cilit Ai shpërblen vepërmirët dhe ndëshkon gjynaqarët e pabindur. Në ajetin e mësipërm, këtë tregon fjala e Tij: “...dhe tek Ai do të kthehen të gjithë”. Këto janë synimet e larta dhe çështjet e rëndësishme të Kur'anit që përbëjnë lëndën e tij.
Shko te videoja e plotë e sures