O ju që keni besuar! Plotësojini detyrimet! -
Ky është një urdhër nga Allahu i Lartësuar drejtuar adhuruesve të Tij besimtarë për të plotësuar detyrimet dhe marrëveshjet. Ai është urdhër për të zbatuar atë çka u dikton dhe nënkupton imani i tyre. Kështu, i Madhëruari urdhëron për plotësimin e aktmarrëveshjeve dhe detyrimeve, pa i cenuar ato. Këtu bëhet fjalë për të gjitha llojet e detyrimeve, si më poshtë vijon:Bagëtitë janë të lejuara
(si ushqim)për ju,... -
Domethënë, për hir tuaj dhe në shenjë mëshire ndaj jush, ju janë bërë të lejuara bagëtitë, pra, devetë, lopët dhe bagëtitë e imta. Nën këtë gjykim hyjnë edhe kafshët e gjuetisë, si sorkadhet, zebrat etj. Disa sahabë janë mbështetur në këtë ajet edhe për lejimin e konsumimit të mishit të këlyshëve që ngordhin në barkun e bagëtive pas therjes së tyre....me përjashtim të atyre që do t’ju lexohen... -
Pra, përveç atyre llojeve që do t’ju lexohen juve në ajetet vijuese, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Janë haram për ju kafshët e ngordhura, gjaku, mishi i derrit, çfarë theret jo në emrin e Allahut, të mbyturat me lak në fyt, ...” e deri në fund. Këto kategori, edhe pse janë prej bagëtive apo kafshëve që përdoren për therje, janë haram. Lejueshmëria e bagëtive që përmenden më sipër kufizohet me dispozitën e mëposhtme, ku Allahu i Lartësuar e ndalon përfitimin prej tyre me disa kohë dhe vende të caktuara:Edhe gjuetia është e ndaluar përderisa gjendeni në ihram
(dhe në vendet e shenjta). - Për ju janë të lejuara bagëtitë dhe kafshët e gjuetisë në të gjitha gjendjet, përveç kur jeni në ihram. Në një rast të tillë, ju nuk duhet të guxoni që të gjuani, sepse kështu cenoni shenjtërinë e vendit në të cilin nuk lejohet gjuetia, si dhe gjendjen tuaj në ihram, gjatë së cilës gjithashtu nuk lejohet gjuetia. “Gjah” konsiderohet çdo kafshë e egër që vritet e së cilës i hahet mishi.Vërtet, Allahu vendos çfarë të dëshirojë. -
Çdo urdhër dhe dispozitë që Allahu i Lartësuar ka ligjëruar për ju është, pa dyshim, prej urtësisë së Tij të madhe. Kështu, Ai ju urdhëron të plotësoni detyrimet dhe kontratat, sepse vetëm kështu arrihet begatia dhe mirësia dhe i pritet rruga çdo dëmtimi dhe armiqësie. Me urtësinë e Tij, Ai bëri të lejuara shumë e shumë lloje kafshësh dhe bagëtish, si mëshirë për ju. Po me urtësinë e Tij, Ai ju bëri të ndaluara veç një numër të vogël të llojeve të kafshëve, të cilat janë shumë pak në krahasim me të lejuarat, për t’ju ruajtur ju nga dëmi i tyre dhe për t’ju lartësuar juve në moral. Edhe ndalimi i gjuetisë gjatë ihramit është bërë me urtësinë e të Lartësuarit, për të na mësuar si të respektojmë ihramin dhe vendet e shenjta.