Thuaju: “O ithtarë të Librit! Mos e teproni me fenë tuaj, duke dalë jashtë të vërtetës,...” -
Kuptimi: Mos i kaloni kufijtë, mos kaloni nga e vërteta tek e kota, - sikurse vepruan në fakt me pretendimet e gabuara rreth Mesihut, apo edhe me madhërimin e udhëheqësve të tyre.“...dhe mos shkoni pas dëshirave të njerëzve para jush, që kanë humbur rrugën, kanë shkaktuar humbjen e shumë të tjerëve dhe që janë larguar shumë prej rrugës së drejtë”. -Kurrë mos ndiqni hapat e gabuara të njerëzve që devijuan nga e vërteta, madje devijuan nga e vërteta edhe shumë të tjerë, duke u dhënë një besim dhe fe të gabuar. Kështu, ata bënë njëherësh dy të këqija: devijimin e vetes dhe devijimin e të tjerëve. Këta janë udhëheqësit e ligësisë dhe të devijimit, prej të cilëve Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar që të ruhemi dhe të mos i pasojmë. Kurrë nuk duhet të ndjekim dëshirat e shfrenuara dhe mendimet devijuese të tyre. Pastaj i Madhëruari thotë: