Landscape MP4 Vertical MP4

Sureja El-Muxhadile — Ajet 22 (Shqip) — Video

El-Muxhadile • Ajet 22 nga 22 • Shqip


لَا تَجِدُ قَوْمًا يُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ يُوَادُّونَ مَنْ حَادَّ اللَّهَ وَرَسُولَهُ وَلَوْ كَانُوا آبَاءَهُمْ أَوْ أَبْنَاءَهُمْ أَوْ إِخْوَانَهُمْ أَوْ عَشِيرَتَهُمْ ۚ أُولَٰئِكَ كَتَبَ فِي قُلُوبِهِمُ الْإِيمَانَ وَأَيَّدَهُمْ بِرُوحٍ مِنْهُ ۖ وَيُدْخِلُهُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِنْ تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ خَالِدِينَ فِيهَا ۚ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُمْ وَرَضُوا عَنْهُ ۚ أُولَٰئِكَ حِزْبُ اللَّهِ ۚ أَلَا إِنَّ حِزْبَ اللَّهِ هُمُ الْمُفْلِحُونَ 22
Përkthim:
Nuk gjen njerëz që besojnë në Perëndinë dhe në Ditën e Kijametit, e të ushqejnë dashuri ndaj atyre të cilët kundërshtojnë Perëndinë dhe Profetin e Tij, madje qofshin ata edhe etërit e tyre, ose bijtë e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Ai, në zemrat e tyre ka mbjellë besimin dhe me shpalljen e Vet i ka fuqizuar ata, dhe Ai do t’i shpie ata në kopshtije, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Perëndia është i kënaqur me ta, por edhe ata do të jenë të kënaqur ndaj Tij. Ata janë ithtarë të (rrugës së) Perëndisë, e ata, ithtarët e Perëndisë, me siguri, janë fitues. El-Muxhadile 58:22
Tefsiri:
Nuk gjen popull që beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit e të dojë ata që e kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, edhe sikur ata të jenë prindërit, fëmijët, vëllezërit ose farefisi i tyre. Të tillë janë ata, në zemrat e të cilëve Ai ka shkruar besimin, e ka forcuar me shpirt nga ana e Tij dhe do t’i futë në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Aty do të jenë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me punën e tyre dhe ata janë të kënaqur me shpërblimin e Tij. Këta janë pala e Allahut. Ta dini se pala e Allahut janë të shpëtuarit. -

Nëse njeriu beson vërtet Allahun dhe Ditën e Gjykimit, patjetër që do të kryejë veprat që ia kërkon besimi i tij i sinqertë. Ndër veprat më të rëndësishme që lypsen nga besimi është dashuria për ata që besojnë Allahun dhe mbështetja e plotë e tyre, nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, urrejtja dhe armiqësia ndaj atyre që nuk i nënshtrohen fesë së vërtetë, edhe sikur këta të jenë njerëzit më të afërt të tij. Ky është besimi i vërtetë: ai që ka fryte e rezultate konkrete. Njerëzve që i arrijnë këto rezultate, Allahu ua ka shkruar imanin në zemrat e tyre, domethënë, e ka bërë atë të patundur, larg çdo pasigurie e dyshimi. Të tilla sëmundje nuk ndikojnë tek imani i tyre. Allahu i ndihmon ata me “ruh” prej Tij. El Ruh quhet shpirti, por po kështu quhet edhe Shpallja e Zotit. Pra, këta janë ata të cilët Allahu i Madhëruar i ndihmon me Shpalljen e Tij, me forcën e saj ndikuese në shpirt. Ai i forcon e i mbështet me të gjitha mënyrat, ashtu siç përkujdeset për të zgjedhurit e Tij. Atyre u takon jeta e këndshme në këtë botë dhe Xheneti i mirësisë në botën tjetër. Në ahiret do të kenë gjithçka që ua dëshiron shpirti dhe çdo gjë që ua pëlqen syri. Për ta janë përgatitur mirësitë më të mëdha. Allahu do t’i mbulojë me kënaqësinë Tij dhe kurrë nuk do të zemërohet prej tyre. Ata do të mrekullohen nga gjithë ato privilegje të dhuruara prej Zotit të tyre. Të shumta do të jenë surprizat për këta fatlumë! Të larta do të jenë gradat ku do të ngrihen! Kurrë nuk do të ëndërrojnë atje mirësi më të mëdha se ato që u ka falur i Lavdëruari. Ata nuk do t’ia gjejnë kurrë fundin mirësive të përjetshme të Allahut. Ndërsa ata që pretendojnë se e duan Allahun dhe e besojnë Ditën e Gjykimit, por kanë dashuri, miqësi dhe aleancë me qafirët, të cilët e shpërfillin besimin dhe shprehin armiqësi ndaj Allahut, ata nuk kanë besim të vërtetë, por thjesht pretendojnë. Çdo pretendim ka nevojë për argumente e fakte për t’u vërtetuar dhe pranuar. Thjesht të pretendosh se ke iman nuk vlen asgjë dhe nuk sjell asnjë përfitim. Këtu përfundon tefsiri i “Kad semiallahu”, me ndihmën dhe udhëzimin e Allahut të Lavdëruar. Vetëm Allahut i takon lavdia e plotë e falënderimi! Ai është Zoti i botëve! Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi Muhamedin (a.s.).
Shko te videoja e plotë e sures