S’ka dyshim se ata ithtarë të Librit dhe idhujtarë, të cilët nuk besuan
(Islamin, Kur'anin, Muhammedin a.s), do të futen në zjarrin e Xhehenemit, ku do të jenë përgjithmonë. -
Ata do të ndëshkohen në zjarrin e Xhehenemit, i cili do t’i përfshijë dhe mbulojë tërësisht brenda tij dhe do t’i stërmundojë me përvëlimin e tij. Atje do të qëndrojnë përgjithmonë dhe kurrë nuk do t’u lehtësohet ndëshkimi. Ata do të jenë të përjetshëm në ndëshkim dhe të pashpresë për shpëtim apo lehtësim.Ata janë krijesat më të këqija. –
Janë të tillë, sepse pasi e kanë njohur të vërtetën, e shpërfillin dhe e refuzojnë atë, duke shkatërruar në këtë mënyrë dynjanë dhe ahiretin e tyre.