Dhe mos u bën nga ata që i përgënjeshtrojnë dokumentet Tona, e të bëhesh ndër ata që janë të humbur. Junus 10:95 ⧉
Tefsiri:
Pa dyshim, ty të ka ardhur e Vërteta nga Zoti yt, prandaj mos u bëj prej atyre që dyshojnë! Mos u bëj si ata që mohuan argumentet e Allahut, se ashtu do të bëheshe nga të humburit. -Nga kjo kuptohet se Allahu i Madhëruar na ka ndaluar nga dy gjëra:
1 dyshimet rreth Kur'anit, dhe:
2 mohimi i Kur'anit, duke mos e pranuar si Libër të Zotit.E si mund të mohohen apo të vihen në dyshim ajetet e qarta të Allahut të sjella në Kur'an?! Ai është mrekullia e Zotit, që nuk pranon asnjë dyshim. Për ata që bien në këtë gabim, Zoti ka treguar se janë të dështuar dhe nuk arrijnë asnjë lloj fitimi. Ata kanë humbur përfundimisht shpërblimin e dynjasë dhe të ahiretit dhe kanë merituar ndëshkimin në të dyja jetët. Dihet mirë se ndalimi nga diçka konsiderohet edhe si urdhër për të kundërtën e saj. Në këtë mënyrë, nga ajeti kuptojmë se jemi të urdhëruar që të besojmë Kur'anin tërësisht e pa dyshime, me zemër të qartë dhe të qetë për vërtetësinë e tij. E kemi detyrë gjithashtu përkushtimin e plotë për të jetuar sipas mësimeve të këtij Kur'ani. Prej tij duhet të marrim diturinë dhe sipas diturisë së tij duhet të punojmë dhe të ndërtojmë jetën tonë. Vetëm kështu njeriu do të jetë me fitimtarët, që arrijnë qëllimet më të larta dhe virtytet më të plota. Të tillët janë të ruajtur nga dështimi e humbja.