Landscape MP4 Vertical MP4

Sureja Hud — Ajet 109 (Shqip) — Video

Hud • Ajet 109 nga 123 • Shqip


فَلَا تَكُ فِي مِرْيَةٍ مِمَّا يَعْبُدُ هَٰؤُلَاءِ ۚ مَا يَعْبُدُونَ إِلَّا كَمَا يَعْبُدُ آبَاؤُهُمْ مِنْ قَبْلُ ۚ وَإِنَّا لَمُوَفُّوهُمْ نَصِيبَهُمْ غَيْرَ مَنْقُوصٍ 109
Përkthim:
Prandaj, mos u bënë dyshues për atë që këta adhurojnë. Ata adhurojnë vetëm atë që kanë adhuruar më parë – të parët e tyre. Dhe Ne do t’ua plotësojmë atyre pjesën e vet (të dënimit), duke mos ua pakësuar aspak. Hud 11:109
Tefsiri:
Allahu i Lartësuar i drejtohet profetit të Tij të dashur, Muhamedit a.s, dhe i thotë:

Mos ki asnjë dyshim për atë që adhurojnë ata. -

Të mos kesh anjë lloj dyshimi rreth gjendjes së tyre të mjerë dhe të kotës që ata pasojnë. Ata nuk kanë asnjë lloj argumenti të drejtë fetar, tradicional apo logjik për idhujtarinë e tyre. Argumenti i vetëm për ta, nëse do të quhej argument, është ai që Allahu i Madhëruar e përshkruan:

Ata nuk adhurojnë asgjë tjetër përveçse çfarë adhuronin më parë prindërit e tyre. -

Ky nuk mund të quhet argument, sepse çdo qëndrim ka nevojë për mbështetje të argumentuar, përveç profetëve, që u vjen Shpallje nga Allahu i Lartësuar. Ndërsa qëndrimet e këtyre të humburve janë plot gabime dhe të pavërteta që në thelb të tyre. Edhe pse ata mund të pretendojnë të gjithë së bashku se janë në të vërtetën, kjo nuk e ndryshon aspak realitetin e tyre të rremë.

Ne do t’ua japim pjesën e vet pa ua cenuar. -

Ata do ta marrin pjesën e tyre, që u ka përcaktuar Allahu i Lartësuar, që në këtë jetë. Ata do ta marrin këtë pjesë të pacenuar, edhe nëse është shumë e madhe. Por nëse Allahu i Lartësuar u jep pasuri e bollëk, kjo nuk tregon aspak se Ai i sheh si njerëz të mirë. Allahu i Lartësuar ua jep të mirat e kësaj bote atyre që i do dhe atyre që nuk i do. Ndërsa fenë dhe besimin e drejtë, Ai ua jep veçse atyre që i ka përzgjedhur dhe dalluar mbi të gjithë të tjerët. Nga këto ajete kuptojmë që asnjëherë nuk duhet të mashtrohemi nga unanimiteti i të humburve në qëndrimet e tyre të devijuara. Fakti që ata kanë rënë dakord që të pranojnë si të vërteta dhe të sakta besimet e trashëguara nga të parët e tyre, kjo nuk do të thotë se ata duhen ndjekur. Gjithashtu, njeriu nuk duhet të mashtrohet nga mirësitë e kësaj bote, që Allahu i Lartësuar mund t’ua ketë dhuruar ndonjërit prej tyre. Rreth besimit dhe fesë së vërtetë gjykohet mbi argumente të qarta, të sakta dhe të përcaktuara nga Allahu i Lartmadhëruar.
X Facebook Minutemailer Stellar WhatsApp Reddit
Shko te videoja e plotë e sures
E mëparshme Hud • Ajet 108 E ardhshme Hud • Ajet 110