Dhe kur pejgamberët gati e humbën shpresën dhe menduan se do të shpallen për gënjeshtarë, atëherë i arriti ndihma Jonë: Na e shpëtojmë atë që duam Ne, e nuk zmbrapset dënimi Ynë nga populli mëkatarë. Jusuf 12:110 ⧉
Tefsiri:
Allahu i Madhëruar na tregon se kur Ai i dërgonte profetët e Tij të nderuar, njerëzit e këqij dhe kriminelë nuk i besonin ata, por i quanin gënjeshtarë. Ai i afatizonte ata, që të kishin mundësi të kthenin rrugë dhe të besonin të vërtetën e sjellë nga të dërguarit. Por refuzimi i tyre zgjaste aq shumë, saqë edhe profetët - me besimin dhe sigurinë e tyre të plotë në premtimin dhe ndihmën e Allahut, - ndoshta në zemrat e tyre gati e humbnin shpresën dhe mendonin me pesimizëm se ishin refuzuar përfundimisht nga popujt e tyre. Por pikërisht në këtë gjendje, atyre u vinte ndihma e Zotit:Atëherë kur të dërguarit gati e humbin shpresën dhe mendojnë se janë trajtuar si gënjeshtarë, atëherë u ven ndihma Jonë. Dhe, ata që i duam, ne i shpëtojmë. Por, dënimi Ynë kurrë nuk mund zbrapset nga një popull keqbërës. -Të shpëtuarit ishin profetët dhe pasuesit e tyre. Ndërsa ata që ishin kriminelë dhe guxonin të mos i përuleshin të Madhërishmit, ata nuk mund të gjenin forcë ku mund të mbështeteshin apo ndihmëtar që mund t’i shpëtonte.