Të gjitha ujiten me të njëjtin ujë, por Ne i kemi bërë me shije të veçanta e të dallueshme nga njëra-tjetra. -
Ato ndyshojnë në ngjyrën, shijet, vlerat dhe dobitë e tyre, si edhe në kënaqësinë që të japin. I Madhërishmi edhe tokat i ka bërë të ndryshme. Ka toka të mira, të cilat rrisin larmi bimësh, pemësh dhe drithërash ushqyese. Ka edhe toka të tjera, që nuk mbijnë dhe nuk mbajnë as ujin, por ai humbet në thellësinë e tyre, pa bërë asnjë dobi për njerëzit dhe kafshët. Por ka të tjera që vërtet nuk mbijnë, por shërbejnë për të grumbulluar ujin. Ka toka ku mbin një lloj bimësie dhe jo të tjera. Sigurisht, që të gjitha këto ndryshime janë përcaktim i Ngadhënjimtarit, Mëshirëplotit. Pas kësaj, Allahu i Lartësuar thotë:Vërtet, në të gjitha këto ka argumente për njerëzit që kuptojnë. -
Ka fakte për ata të cilët kanë logjikë dhe arsye, që i udhëzon në gjërat e dobishme. Një logjikë e pastër dhe arsyetim i drejtë e udhëzon robin tek e mira dhe e ndihmon atë që të kuptojë qartë porositë e Zotit. Ndërsa ata që gjithmonë u kthejnë shpinën urdhëresave të Zotit dhe mendjelehtët, që, pa u menduar fare, u përkushtohen veçse dëshirave të unit, këta enden të çoroditur në errësirat ku janë zhytur. Ashtu, të pasigurt dhe të përhumbur në vetëmashtrimin e tyre, nuk e gjejnë dot udhën drejt Zotit të tyre dhe nuk arrijnë të kuptojnë asnjë mesazh të dhënë prej Tij.