Landscape MP4 Vertical MP4

Sureja Er-Ra'd — Ajet 5 (Shqip) — Video

Er-Ra'd • Ajet 5 nga 43 • Shqip


وَإِنْ تَعْجَبْ فَعَجَبٌ قَوْلُهُمْ أَإِذَا كُنَّا تُرَابًا أَإِنَّا لَفِي خَلْقٍ جَدِيدٍ ۗ أُولَٰئِكَ الَّذِينَ كَفَرُوا بِرَبِّهِمْ ۖ وَأُولَٰئِكَ الْأَغْلَالُ فِي أَعْنَاقِهِمْ ۖ وَأُولَٰئِكَ أَصْحَابُ النَّارِ ۖ هُمْ فِيهَا خَالِدُونَ 5
Përkthim:
E, nëse çuditesh, pra – çudi janë fjalët e tyre: “A vallë, me të vërtetë pasi të bëhemi tokë, do të krijohemi përsëri?” Ata, nuk besojnë në Zotin e tyre, këta janë ata, në qafat e të cilëve do të ketë pranga; këta janë banorët e xhehennemit, në të cilin do të qëndrojnë përherë. Er-Ra'd 13:5
Tefsiri:

Nëse ti çuditesh, është edhe më e çuditshme kur ata thonë: “A do të krijohemi sërish pasi të jemi bërë dhé?” -

Kuptimi i ajetit: “Nëse ti, o Muhamed, çuditesh dhe mrekullohesh nga madhështia e Allahut të Lartësuar dhe faktet e shumta që tregojnë njëshmërinë e Tij, dije se është më e çuditshme mohimi i këtyre fakteve nga ana e atyre që nuk besojnë shpalljet e Allahut dhe e quajnë gënjeshtër ringjalljen. Është shumë çudi kur ata thonë: “A do të krijohemi sërish pasi të jemi bërë dhé?” Sipas tyre, kjo është diçka e pamundur. Sipas arsyes së tyre të dobët, pasi të jenë tretur dhe bërë një me dheun, është shumë e çuditshme dhe e pamundur që Allahu t’i rikthejë në jetë. Shkaku i këtij përfundimi është se ata e krahasojnë fuqinë e Krijuesit me aftësitë e mangëta të krijesës. Duke qenë se krijesat e kanë të pamundur ringjalljen e të vdekurve, ata gjykojnë se kjo është e pamundur edhe për Krijuesin, duke harruar se ishte Allahu i Lartësuar ai që i krijoi nga hiçi, kur ata nuk ekzistonin. Ky ishte njëri nga kuptimet e ajetit. Një kuptim tjetër i ajetit është edhe ky që vijon: “Nëse çuditesh, o Muhamed, që ata mohojnë ringjalljen, ke të drejtë, sepse kjo është vërtet diçka e çuditshme. Si është e mundur që dikujt t’i qartësohen faktet rreth ringjalljes, dhe pastaj ai t’i mohojë sërish ato?! Kjo është e çuditshme dhe e papranueshme. Por, sigurisht, çdo gjë mund të pritet nga ata të cilët nuk besojnë Zotin e tyre, nuk pranojnë njëshmërinë e Tij dhe nuk besojnë edhe çështjet më të qarta.

Këta janë ata që mohojnë Zotin e tyre. Ata ndëshkohen me pranga në qafë. -

Prangat që kanë në qafa i pengojnë për të arritur udhëzimin. Ata ftohen për të besuar, por refuzojnë, atyre iu ofrohet udhëzimi, por nuk nënshtrohen të jetojnë sipas tij. Prandaj zemrat dhe shpirtrat e tyre vulosen dhe përmbysen, si ndëshkim për refuzimin e besimit dhe udhëzimit të Zotit, kur u ofrohet fillimisht. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë:

Ata janë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. -

Ata nuk kanë për të dalë kurrë prej Zjarrit.
X Facebook Minutemailer Stellar WhatsApp Reddit
Shko te videoja e plotë e sures
E mëparshme Er-Ra'd • Ajet 4 E ardhshme Er-Ra'd • Ajet 6