A nuk po shohin ata, që Ne po ua shkatërrojmë tokën (mohuesve), duke i zvogluar skajet e saj. Perëndia gjykon, dhe s’ka askush që mund ta thyejë gjykimin e Tij dhe Ai është llogaritës i shpejtë. Er-Ra'd 13:41 ⧉
Tefsiri:
A nuk shohin ata se Ne po ua ngushtojmë tokën nga skajet e saj? Allahu gjykon dhe askush nuk mund ta kundërshtojë gjykimin e Tij. Ai është i Shpejtë në llogari. -Rreth kuptimit të “ngushtojmë tokën” janë dhënë shpjegime të ndryshme nga dijetarët. Një shpjegim thotë se kuptimi është shkatërrimi i mohuesve të së vërtetës, duke i shfarosur ata kudo që ndodhen. Një kuptim tjetër është: çlirimi i vendeve të kufrit nga padrejtësitë e idhujtarëve dhe përhapja e Islamit në ato vende, duke e ngushtuar në këtë mënyrë tokën dhe pushtetin e tyre. Por ajo që duket qartë, - dhe Allahu e di më mirë -, është se Allahu i Lartësuar ua ngushton tokën dhe pushtetin të padrejtëve dhe refuzuesve të besimit përmes shumë mënyrave. Ai i paralajmëron ata me ndëshkime që godasin rreth e rrotull tyre ose mbi të ngjashmit me ta, që ata të marrin mësim dhe të kthejnë rrugë. Kështu, Allahu i Madhëruar i kërcënon, para se të vijë dita kur ata të ngushtohen dhe t’u vijë një ndëshkim, që nuk do të ketë më kthim dhe që askush nuk do të mund ta ndalë.