O njerëz! Hani nga ato ushqime të lejuara dhe të mira që gjenden në Tokë, -
Ky është një urdhër që i drejtohet të gjithë njerëzimit, besimtarëve dhe jobesimtarëve, që tregon bujarinë e Allahut të Lartësuar ndaj tyre. Ai i urdhëron njerëzit që të hanë nga prodhimet e gjallesat e tokës, qofshin ato drithëra, fruta, agrume, kafshë etj., por me kusht që ato duhet të jenë të lejuara prej Tij. Njerëzit nuk duhet të prekin as ato gjëra që ndihmojnë në përhapjen e haramit, i cili sjell shkatërrim në tokë. Ndërsa kusht i dytë është që ato duhet të jenë të mira e të këndshme, e jo të ndyra e të neveritshme, si p.sh. gjaku, mishi i derrit etj. Ky ajet vërteton se, çdo gjë, në origjinën e saj, është e lejuar të hahet dhe të shfrytëzohet. Ndërsa haram është vetëm ajo gjë për të cilën ka fakte se Zoti e ka bërë të tillë. Gjërat e ndaluara janë dy llojesh:…e mos shkoni pas hapave të shejtanit! Ai është armiku juaj i betuar. -
Pra, mos shkoni pas hapave të të mallkuarit. Hapat e shejtanit janë urdhrat e cytjet e tij. Ato përfshijnë të gjitha zullumet, duke filluar nga ato të pafalshmet, si mohimi i Zotit dhe idhujtaria, e duke vazhduar me gjynahet e tjera, si bërja haram e gjërave që Allahu i Lartësuar i ka bërë të lejuara, apo urdhërimin për ngrënien e ushqimeve që janë haram. Allahu i Lartësuar e ka cilësuar shejtanin si: “aduun mubîn”, domethënë armik që e shfaq hapur armiqësinë, pa e fshehur aspak atë. Ky armik, me urdhrat që jep, synon veçse mashtrimin dhe të keqen e njeriut. Ai dëshiron që edhe njeriu të bëhet banor i Zjarrit përvëlues. Kështu, Allahu i Lartësuar nuk është mjaftuar duke na ndaluar nga pasimi i hapave të shejtanit, por na ka bërë të qartë, gjithashtu, se ai është armiku ynë i hapur. Më tej, Allahu i Lartësuar, që është më i vërteti në fjalët e Tij, na përshkruan urdhrat e këtij armiku të mallkuar, që të shtyn larg mëshirës së Mëshiruesit: