Kur u thuhet atyre: “Bëjini sexhde të Gjithëmëshirshmit!”, ata thonë: “E kush është Rrahmani - i Gjithëmëshirshmi?" -
Kur ftohen që ta adhurojnë dhe t’i bien në sexhde Rahmanit, i cili i begaton me gjithë ato mirësi dhe i ruan nga të gjitha ligësitë, ata thonë: “E kush është Rrahmani - i Gjithëmëshirshmi?", duke e refuzuar kështu adhurimin e Tij. Ata i thonë këto fjalë duke sjellë një pretendim të kotë se gjoja nuk e njohin Rahmanin. Madje këtë e përdorin si pretekst për të cenuar Profetin (a.s). Idhujtarët thoshin: Ai na ndalon që t’i lutemi zotave të tjerë, kurse për vete lutet dhe thotë: “O Rahman!” A thua se po i ftonte të adhuronin ndonjë zot tjetër! Prandaj Allahu i Madhëruar thotë në ajete të tjera: "Thuaj: “Lutuni (me emrin) Allah ose lutuni (me emrin) Er-Rahman - me cilindo (prej emrave)që t'i luteni, emrat e Tij janë më të bukurit." [Isra 110]. Kështu, emrat e Allahut janë shumë, e po kështu edhe cilësitë dhe atributet e Tij. Çdo cilësi e Tij është treguese e madhështisë së Tij dhe faktit që Ai është i Plotë dhe Absolut në të gjithë emrat dhe cilësitë e Tij. Allahu është i Pashoq dhe i Pashembullt. Por mohuesit që refuzojnë ta njohin Atë, gjithmonë do të gjejnë arsyetime për të refuzuar adhurimin dhe nënshtrimin ndaj Tij. Ata thonë gjithashtu:"A t’i bëjmë sexhde sepse na urdhëron ti?!” -
Vallë, do t’i përulemi në sexhde veçse për shkak se po na urdhëron ti?! Ky qëndrim i tyre ishte sepse ata e mohonin Muhamedin si profet të Zotit dhe për shkak të mendjemadhësisë së tyre ndaj Zotit. Këtyre të mjerëve ftesa në të mirë veçse ua shton largimin nga e vërteta, siç thotë i Lartësuari:...dhe kjo ua shtoi edhe më shumë largimin
(nga besimi i drejtë). - Ftesa për t’i rënë në sexhde Rahmanit ua shtoi edhe më shumë largimin nga e vërteta dhe e drejta, ua shtoi mohimin dhe dëshpërimin.