Landscape MP4 Vertical MP4

Sureja Sheba — Ajet 8 (Shqip) — Video

Sheba • Ajet 8 nga 54 • Shqip


أَفْتَرَىٰ عَلَى اللَّهِ كَذِبًا أَمْ بِهِ جِنَّةٌ ۗ بَلِ الَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ بِالْآخِرَةِ فِي الْعَذَابِ وَالضَّلَالِ الْبَعِيدِ 8
Përkthim:
A po trillon gënjeshtra për Perëndinë apo është i çmendur?” Asnjëra, por ata që nuk besojnë në jetën tjetër, do të dënohen dhe janë në humbje të madhe. Sheba 34:8
Tefsiri:

A është duke trilluar

(me vetëdije)

gënjeshtra kundër Allahut, apo e kanë kapur xhindet?” Jo. -

Mos, vallë, ky njeri që sjell të tilla kumte, ka guximin dhe paturpësinë që të flasë të pavërteta për Allahun apo e kanë pushtuar xhindët? Atëherë, nuk ka pse të çuditemi, sepse i çmenduri dhe i xhindosuri thonë shumë çmendurira dhe gjëra të paqena. Të gjitha këto fjalë ata i thoshin nga inati dhe padrejtësisht, sepse, në fakt, ishin të bindur plotësisht se Muhamedi ishte krijesa më besnike, më i sinqerti, më i logjikshmi dhe më i urti. Pikërisht për shkak se e dinin mirë këtë fakt, ata sakrifikuan aq shumë dhe punuan fort me çdo mënyrë që t'i largonin e pengonin njerëzit nga rruga dhe feja e tij. Nëse do të ishin të bindur se është mashtrues dhe i çmendur, atëherë as që do t'i kishin kushtuar rëndësi, sepse të urtët dhe njerëzit e mençur nuk merren me të çmendurit dhe mashtruesit. Nëse do të ishte i tillë, njerëzit e urtë nuk do t'i hidhnin as sytë e jo më të merreshin me fjalën e tij. Nëse ju, o njerëz, nuk do të ishit të mbushur me padrejtësi dhe inat, do të nxitonit që t'i përgjigjeshit ftesës së tij dhe do të pasonit rrugën e tij, por: "as argumentet dhe as qortimet nuk u bëjnë dobi atyre që nuk besojnë." [Junus 101]. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë:

Por, ata që nuk besojnë në jetën e përjetshme janë të dënuar dhe janë në humbje të thellë. -

Të tillë janë ata që thonë ato fjalë. Ata nuk besojnë në ahiret. Ata do të jenë: "... të dënuar dhe janë në humbje të thellë." Ata do të jenë në trishtim të madh dhe në humbje shumë të qartë. Ata enden shumë larg së vërtetës. E ku ka humbje dhe largim më të madh nga e vërteta sesa humbja e këtyre njerëzve, që nuk besojnë pushtetin e plotë të Allahut të Lartësuar në ringjalljen e krijesave pas vdekjes dhe të cilët e mohojnë Profetin, që flet në emër të Zotit dhe ka sjellë Shpalljen e Tij?! Këta të mjerë madje tallen me Profetin dhe mesazhet e tij dhe pretendojnë se rruga e tij është një kotësi dhe gënjeshtër. Kështu, të mirën e shohin të keqe dhe udhëzimin në rrugën e drejtë e shohin largim nga e vërteta.
X Facebook Minutemailer Stellar WhatsApp Reddit
Shko te videoja e plotë e sures
E mëparshme Sheba • Ajet 7 E ardhshme Sheba • Ajet 9