Më të volitshme për ta do të ishin bindja dhe fjala e mirë! -
Është më mirë për ta që t’i zbatojnë me korrektësi urdhrat aktualë dhe të mos kërkojnë urdhra të tjerë, me të cilët Zoti nuk i ka ngarkuar. Le të grumbullojnë dhe shpenzojnë të gjitha fuqitë e tyre në zbatimin e porosive, që tashmë i kanë marrë. Më mirë të mos nxitohen, duke kërkuar nga Allahu detyrime, që ndoshta do ta kenë të vështirë t’i plotësojnë. Le të kënaqen me faljen dhe mëshirën e Allahut të Madhëruar, me lehtësinë dhe thjeshtësinë e gjithçkaje që Ai ofron.
Por, kur merret vendimi
(për luftë), do të ishte më mirë për ata që të jenë besnikë ndaj Allahut. -
Kur t’u vijë nga Allahu urdhri i prerë për të luftuar, është më mirë të tregohen të sinqertë në kërkimin e ndihmës dhe forcës nga Allahu për përmbushjen e urdhrit të Tij, por edhe duke dhënë maksimumin e mundësive të tyre. Kjo është më mirë për ta, sesa ta kërkojnë vetë zbritjen e urdhrit për luftë. Kjo ka arsyet e veta, disa prej të cilave do t’i rendisim më poshtë:
1 Robi është i mangët dhe i dobët në çdo aspekt. Ai nuk ka mundësi ta arrijë suksesin vetë, nëse Zoti nuk e ndihmon dhe nuk i jep forcë. Kështu që ai nuk duhet të kërkojë detyra shtesë, mbi ato që është ngarkuar dhe është duke kryer.
2 Nëse robi lidhet shumë me të ardhmen, atëherë do të dobësohet në lidhje me plotësimin e detyrave të së tashmes, madje edhe në lidhje me detyrimet për të ardhmen. Në lidhje me detyrimet e së tashmes, ai do të dobësohet, sepse qëllimet e tij nuk janë të fokusuara tek e tashmja, ndërkohë që niveli i punës së njeriut varet shumë nga qëllimet e tij. Ndërsa në lidhje me të ardhmen, dobësimi ndodh zakonisht sepse ajo që pritet të vijë kërkon kohë, por me kalimin e kohës, qëllimi fillon e zbehet. Kështu, kur i vjen koha, ai nuk është më në nivelin e tij të duhur.
3 Ai që mendon vetëm për të ardhmen, pa i dhënë hakun të tashmes, thjesht është një ëndërrimtar, që pandeh se ka fuqi të arrijë gjithçka, por tregohet i paaftë edhe për gjërat që i ka në dorë. Ai që nuk është i zoti të përmbushë detyrimet e kohës është i destinuar të mos plotësojë asnjë përgjegjësi të së ardhmes. Kësisoj, për njeriun është më mirë që t’i mbledhë forcat për të realizuar detyrat e së tashmes, dhe kjo nuk e pengon aspak në përgatitjet për të ardhmen. Madje, nëse ai është gjithmonë aktiv në plotësimin e përgjegjësive të kohës, vullneti i tij mbetet i lartë. Në këtë mënyrë, kur të vijë koha e veprimeve të planifikuara, ai - ashtu siç bën gjithmonë - do t’i realizojë ato në formën më të mirë dhe më të plotë të mundshme. Një njeri i tillë e meriton gjithmonë të jetë i suksesshëm në të gjitha çështjet e tij.Pastaj i Madhëruari flet për ata që mohojnë dhe për fundin e keq të tyre: