Ata që nuk besojnë dhe pengojnë të tjerët nga Rruga e Allahut, pastaj vdesin duke qenë jobesimtarë, Allahu nuk do t’i falë kurrë. -
Ata të cilët mohojnë Allahun, melekët, librat, profetët e Tij, Ditën e Fundit, madje pengojnë edhe të tjerët nga feja e Allahut, duke ua shtrembëruar të vërtetën dhe duke ua zbukuruar të kotën, pastaj vdesin në këtë gjendje, pa u penduar nga këto punë të këqija, këtyre Allahu nuk ka për t’ua falur gjynahet. Këtyre nuk kanë për t’iu falur gjynahet as nëpërmjet ndërmjetësuesve e as me ndonjë mënyrë tjetër. Për ta bëhet i pakthyeshëm ndëshkimi dhe i paarritshëm shpërblimi. Për ta bëhet e detyrueshme përjetësia në zjarrin e Xhehenemit, duke iu mbyllur pëfundi-misht porta e Mëshiruesit dhe Falësit të madh. Nga ajeti kuptojmë se, nëse ata pendohen për këto punë para vdekjes, Allahu i përfshin në faljen dhe mëshirën e Tij, dhe i fut në Xhenet. Sikur të gjithë jetën e tyre ta kenë kaluar duke mohuar Allahun e gjithçka që nuk duhet mohuar, duke penguar njerëzit nga rruga e Allahut e duke bërë gjynahe pa fre, në qoftë se ata, para vdekjes, pendohen dhe kthehen te Zoti me kërkim faljeje, i Gjithëmëshir-shmi i fal dhe i mëshiron. I Lartësuar dhe i Lavdëruar qoftë Allahu i Madhëruar, i Cili ia ka hapur portën e pendimit dhe nuk ia ka mbyllur askujt, për sa kohë është gjallë dhe mund të pendohet. I Lavdëruar qoftë Ai, që është i Butë e i Mëshirshëm, që nuk nxitohet të ndëshkojë gjynahqarët, por, përkundrazi, i ruan, u jep shëndet e i furnizon, sikur të mos kishin bërë asnjë gjynah, edhe pse është i Plotfuqishëm që t’i ndëshkojë! Pastaj i Madhëruari thotë: