Mos ua shani ata
(idhujt), të cilëve ata iu luten krahas Allahut, sepse nga armiqësia dhe padituria e tyre, ata mund të shajnë Allahun. Kështu ia kemi zbukuruar Ne çdo populli veprimet e veta. Në fund kthimin e kanë te Zoti i tyre dhe atëherë do t’i shpërblejë për çdo gjë që kanë bërë. -Allahu i Madhëruar i ndalon besimtarët nga një veprim, që në origjinë është i lejuar - t’u shash idhujtarëve idhujt e tyre. Madje, poshtërimi dhe sharja e idhujve konsiderohet si afrim te Zoti dhe tregues i besimit. Por Allahu i Madhëruar i ka ndaluar nga kjo vepër për një shkak të caktuar: ajo mund të bëhet shkak që ata të fyejnë Allahun, Zotin e botëve, ndërkohë që duhet ta madhërojnë e lavdërojnë Atë. Prej fanatizmit ndaj fesë së tyre, ata flasin pa u menduar. Çdokujt i është zbukuruar ajo që e vepron dhe flet, prandaj ata nuk e mendojnë krimin e madh që bëjnë duke fyer Zotin e botëve. Për të mbrojtur fenë e tyre, ata janë gati të bëjnë gjithçka, derisa të fyejnë edhe Zotin e botëve, dashuria për të cilin mbush zemrat e të mirëve dhe të devotshmëve. Madje, respekti për Zotin mbush jo vetëm zemrat e të mirëve, pasi edhe qafirët dhe gjynahqarët kanë në zemër respekt për Zotin. Por nëse u shahen zotat e tyre, që ata i madhërojnë, ata mund të shajnë Zotin e botëve. Por diçka është e pamohueshme: tek Allahu do të kthehen të gjithë krijesat në Ditën e Gjykimit. Pranë Atij do të paraqiten ata dhe veprat e tyre, të mira ose të këqija. Ai do t’i shpërblejë sipas asaj që kanë punuar, me drejtësinë e bamirësinë e Tij. Ky ajet i mrekullueshëm mbështet rregullin që thotë: “Veprat gjykohen sipas rezultatit ku të çojnë”. Me fjalë të tjera, ato që të çojnë në haram, janë haram, edhe nëse në origjinë mund të jenë të lejuara.