Duke përmendur mirësitë më të cilat e begatoi dhe dalloi Profetin e Tij, Allahu i Lartësuar thotë:
A nuk ta zgjeruam gjoksin tënd? -
Zgjerimi i gjoksit nënkupton:
1 Bërjen e Profetit të denjë dhe të aftë për të pranuar dispozitat e fesë dhe për të ftuar njerëzit në rrugën e Allahut, në Islam.
2 Zbukurimin e shpirtit të tij me moralin më të lartë dhe me cilësitë më të vyera.
3 Aftësimin për devotshmëri, për të fituar ahiretin nëpërmjet adhurimeve të mrekullueshme.
4 Lehtësimin e çdo të mire dhe aftësimin e shpirtit të Profetit për t’i pranuar dhe kultivuar ato, ndryshe nga ç’ndodh me gjokset e ngushtuara dhe të rënduara, të cilët kurrsesi nuk nënshtrohen për të vërtetën dhe të mirën. Ata gjithmonë janë të shtrënguar ndaj mirësisë që u ofrohet.