Ata i frikësohen Zotit të tyre, që është mbi ta, dhe bëjnë gjithçka për të cilën urdhërohen. -
Megjithëse ata tregojnë devotshmëri dhe frikërespekt për Zotin, që është sipër tyre, i Lartësuar i Plotë në pushtetin dhe cilësitë e Tij, ata janë të përunjur para pushtetit dhe mbretërimit të Tij, siç thotë Allahu: "... bëjnë gjithçka për të cilën urdhërohen." Çfarëdo urdhri që t’u japë Zoti i tyre, ata e zbatojnë me bindje e vullnet të lirë. Sexhdja që krijesat i bëjnë Zotit është dy llojesh:
1 Sexhdja e detyruar. Kjo lloj sexhdeje është e përgjithshme, që bëhet nga çdo krijesë, besimtarë apo mohues qofshin, punëmirë apo punëkeq, flasin apo nuk flasin. Kjo përulje e përgjithëshme e çdo krijese për Allahun tregon se Ai është i plotë në çdo cilësi si dhe në sundimin e pushtetin e Tij.
2 Sexhdja me vullnet të lirë. Kjo lloj sexhdeje ndaj Allahut realizohet vetëm nga më të dashurit dhe të zgjedhurit e Tij besimtarë, qofshin melekë, njerëz apo xhindë, të cilët Ai i ka dalluar e përzgjedhur mbi të gjithë.