Kur ti e lexon Kur’anin, në mes teje dhe atyre që nuk e besojnë Botën Tjetër, Ne vëmë një perde të padukshme. -
Në këtë Kur'an është sjellë gjithçka e nevojshme që njeriu të gjejë udhëzimin. Në të ka këshilla të shoqëruara me inkurajime e qortime, përgëzime e kërcënime, që të nxisë ndjenjat e adhurimit, si frika, shpresa, dashuria për Zotin etj. Kur'ani ka rrëfime që i kujtojnë zemrës të vërtetën në mënyrë të përsëritur e të vazhdueshme. Ai ka udhëzime të qarta për çdo vepër e fjalë të mirë që të afron te Zoti dhe të mbush zemrën me besim. Në të gjen ushqim të mjaftueshëm për të forcuar imanin. Ai përmban shumë mirësi e dituri, që të ndriçojnë rrugën dhe shpirtin. Atëherë, nëse njeriu e refuzon këtë libër me kaq mirësi, Zoti e privon nga ai dhe për të nuk mbetet asnjë mundësi tjetër udhëzimi. Allahu thotë: “....Ne vëmë një perde të padukshme mes teje dhe atyre që nuk e besojnë botën tjetër.” Mes refuzuesve dhe Kur'anit vendoset një pengesë, që nuk i lë ata të kuptojnë mesazhet e tij. Ata nuk mund të përfitojnë nga të vërtetat e Kur'anit, nuk mund të ndriçohen nga drita e tij dhe nuk mund të nënshtrohen për të punuar dhe jetuar sipas mirësive dhe diturive të vyera të tij .