Landscape MP4 Vertical MP4

Sureja Ali Imran — Ajet 136 (Shqip) — Video

Ali Imran • Ajet 136 nga 200 • Shqip


أُولَٰئِكَ جَزَاؤُهُمْ مَغْفِرَةٌ مِنْ رَبِّهِمْ وَجَنَّاتٌ تَجْرِي مِنْ تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ خَالِدِينَ فِيهَا ۚ وَنِعْمَ أَجْرُ الْعَامِلِينَ 136
Përkthim:
Shpërblimi i tyre është falja madhështore (e mëkateve) nga ana e Zotit të tyre dhe xhennetet nëpër të cilët rrjedhin lumenjt! E në to do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky, për ata që punojnë vepra të bukura! Ali Imran 3:136
Tefsiri:

Shpërblimi për ata është falja nga Zoti i tyre... -

Të përshkruarit me këto cilësi do të kenë si shpërblim ‘maĝfiratun’, pra, mbulimin e të metave dhe faljen e gjynaheve të tyre, që do të thotë se ata do të shpëtojnë nga çdo e keqe që i druhen. Përveçse janë të sigurt nga çdo e keqe, prej faljes nga Zoti i tyre, ata kanë edhe shpërblime të tjera:

...dhe Xhenetet, nëpër të cilët rrjedhin lumenj... -

Në Xhenet ka mirësi të shumta e të përhershme, ka gëzim e lumturi, kështjella madhështore, ndërtesa të pastra dhe të larta, pemë e fruta të mrekullueshme, lumenj që rrjedhin vazhdimisht mes vendbanimeve etj. Të gjithë kësaj panorame ia shton bukurinë fakti që ata do të jenë përjetësisht në këtë vend, siç thotë i Lartësuari:

...dhe ku ata do të jenë përjetësisht. -

Ata do të jenë përgjithmonë në këtë vend të mrekullueshëm. Ata kurrë nuk do të dëshirojnë të largohen nga ato mirësi dhe kurrë nuk do të velen a mërziten prej tyre e të kërkojnë të tjera. Mirësitë do të jenë gjithmonë në rritje dhe kurrë nuk do të largohen apo pakësohen.

Sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë

(punë të mira)!” - Ata punuan pak për hir të Allahut të Lartësuar, por u shpërblyen shumë. Siç ka thënë dikush: në kohën e agimit, kur drita u shkëlqen në fytyrë, udhëtarët e natës kënaqen, edhe pse rruga e natës ka qenë e lodhshme. Në momentet e shpërblimit, punëtori ndien gëzim të plotë për punën që ka bërë. Këto ajete të mrekullueshme janë argument shumë i fortë për Ehli Sunetin, të cilët besojnë se veprat bëjnë pjesë në iman, ndryshe nga qëndrimi i murxhi-ve. Ky qëndrim përforcohet në një ajet tjetër shumë të ngjashëm në suren Hadidë: “Shpejtoni drejt faljes prej Zotit tuaj dhe drejt Xhenetit, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiellit dhe e tokës dhe që u përgatit për ata që i besojnë Allahut dhe profetëve të Tij. Kjo është mirësia e Allahut, që ia jep kujt të dojë. Allahu është Dhurues i madh.” [Hadidë 21]. Në këtë ajet përmendet si shkak për futjen në Xhenet besimi tek Allahu dhe te Profeti i Tij. Ndërsa në ajetin e sures Al Imran, që po komentojmë, thuhet se Xheneti është përgatitur për të devotshmit, dhe më pas tregohen cilësitë, veprat dhe fjalët e këtyre të devotshmëve. Nëse i vendos paralel të dy ajetet, kupton se besimtarët e pajisur me iman janë ata që quhen ‘muttekin’ - të devotshëm, të cilët bëjnë edhe ato vepra të mrekullueshme. Mendo pak dhe gjyko!
X Facebook Minutemailer Stellar WhatsApp Reddit
Shko te videoja e plotë e sures
E mëparshme Ali Imran • Ajet 135 E ardhshme Ali Imran • Ajet 137