Kur vijnë tek ti, ata të përshëndesin jo ashtu si të përshëndet Allahu... -
Ata tregonin mungesë edukate në mënyrën se si përshëndesnin Profetin (a.s.), duke fshehur brenda tyre mendime, të cilat Allahu, Njohësi i të dukshmes dhe të fshehtës, ua nxori në shesh. Ata thanë:...dhe thonë me vete: “Përse nuk na dënon Allahu për këto fjalë që po themi?” –
Ata, si pa të keq, nuk e quanin ndonjë gjë të madhe këtë tallje që bënin dhe, veç kësaj, me paturpësi e mendjelehtësi, thanë: “Pse nuk na ndëshkon Allahu për këto që po themi?!” A thua sikur po argumentonin e thoshin që, përderisa Zoti nuk po na ndëshkon për këtë, atëherë kjo është diçka jo e keqe! Sigurisht, këtë e bënin thjesht për tallje. Por Allahu ua bëri të qartë atyre se Ai afatizon, por kurrë nuk harron:Mjafton për ta Xhehenemi, ku do të hidhen. Eh, sa vend i tmerrshëm është ai! -
Mjafton si ndëshkim për ta Xhehenemi, ku janë mbledhur të gjitha llojet e vuajtjeve. Dhimbja ka për t’i rrethuar nga çdo anë. Të jenë të sigurt se ata kanë për të shijuar ndëshkimin e merituar. Ajeti flet ose për munafikët, që shfaqnin imanin dhe fshihnin kufrin, të cilët kur i flisnin Profetit (a.s.) shtireshin sikur i donin të mirën, por në të vërtetë ishin mashtrues dhe dashakeqës, ose ishin ithtarë të Librit të cilët, kur i drejtoheshin Profetit (a.s.), e përshëndesnin duke i thënë “Es-samu alejkum!”, pra “Vdekja qoftë mbi ju!”, duke shtrembëruar me dinakëri përshëndetjen “Es-selamu alejkum!” - “Paqja qoftë mbi ju!”