Sureja Junus (Joni — يونس) (Ajet 37)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




10 Junus(يونس), Ajet 37

وَمَا كَانَ هَٰذَا الْقُرْآنُ أَنْ يُفْتَرَىٰ مِنْ دُونِ اللَّهِ وَلَٰكِنْ تَصْدِيقَ الَّذِي بَيْنَ يَدَيْهِ وَتَفْصِيلَ الْكِتَابِ لَا رَيْبَ فِيهِ مِنْ رَبِّ الْعَالَمِينَ 37 ٣٧

Kyr Kur’an nuk është i trilluar prej askujt, por vetëm është shpallur prej Perëndisë, për të vërtetuar shpalljet e mëparshme, dhe të shpjegojë dispozitat; në të s’ka dyshim (ka zbritur) nga Zoti i gjithësisë! (37)

Tefsiri
Ky Kur'an nuk është i tillë që të mund të bëhet nga dikush tjetër veç Allahut, por është vërtetues i asaj që ishte më parë dhe shtjellues i qartë i Librit

(Ligjit të Zotit)

. Nuk ka dyshim se ai është

(zbritur)

nga Zoti i botëve. -

Është e pamundur dhe as që mund të përfytyrohet që dikush të mund të sjellë një libër si Kur'ani. Ky libër është, sikurse thotë i Madhëruari: "Nuk ka dyshim se ai është nga Zoti i botëve". Kur'ani është një libër i paarritshëm nga krijesat. Sikur të mblidhen njerëzit dhe xhinët për të sjellë qoftë edhe një kapitull të ngjashëm me të, nuk mund t'ia arrijnë. Kur'ani është libri i Allahut. Kur'ani është fjala që e ka thënë dhe e ka folur Zoti i botëve. E si mundet që dikush nga krijesat të mund të flasë diçka të tillë, apo qoftë edhe diçka që mund t’i afrohet fjalës së Krijuesit të botës?! Fjala përmban madhështinë e folësit të saj dhe të atributeve të tij madhështore. Vetëm nëse supozojmë se dikush i afrohet Allahut në madhështinë dhe cilësitë e Tij, mund të mendohet se ai mund të sjellë një fjalë të ngjashme me të. Nëse dikush do të pretendonte diçka të tillë, pra, që është i ngjashëm me Zotin në cilësitë e Tij, dhe të thotë se mund të sjellë Shpallje si Ai, atëherë Zoti do ta ndëshkonte menjëherë dhe pa vonuar. Por Allahu i Lartësuar e zbriti Kur'anin si mëshirë për botët dhe si argument për të gjithë robërit. Kur'ani është gjithashtu: "...vërtetues i asaj që ishte më parë", domethënë i shpalljeve të mëparshme të Zotit. Librat dhe shpalljet e Zotit janë vërtetues e mbështetës të njëri-tjetrit. Kur'ani dëshmon për vërtetësinë e shpalljeve të mëparshme dhe vërtetësinë e profetëve të shkuar. Nga ana tjetër, edhe shpalljet e mëparshme dëshmojnë për vërtetësinë e Kur'anit dhe besnikërinë e Profetit të fundit. Ata të gjithë kanë paralajmëruar për këtë libër madhështor dhe këtë profet besnik. Kështu, Kur'ani është vërtetim i asaj çfarë kanë parathënë profetët e parë. Kur'ani gjithashtu është: "…shtjellues i qartë i Librit (Ligjit të Zotit)", domethënë është sqarues i hallallit dhe haramit, i ligjeve të fesë, por edhe tregues i ligjeve të kaderit dhe krijimit të Zotit. Ky libër pëmban lajme të vërteta e të sigurta rreth të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes. E si të jetë ndryshe, kur Zoti thotë: "Atij (Kur'anit) nuk mund t’i atribuohet e pavërteta nga asnjë anë. Ai është Shpallje prej të Urtit, të Lavdëruarit.” [Fussilet 42]. Pra, nuk ka asnjë lloj dyshimi për këtë fakt. Kur'ani është el hakul jakin - e vërteta e sigurt. Ai është Shpallje e Zotit të botëve, i Cili përkujdeset dhe administron të gjitha çështjet e krijesave të Tij, përmes mirësive, mëshirës dhe bujarisë së Tij. Ndër aspektet më të rëndësishme të përkujdesit të Tij është edhe shpallja e këtij Libri, në të cilin janë përfshirë e shtjelluar të gjitha mirësitë dhe udhëzimet e vyera, si ato fetare, ashtu edhe ato që kanë të bëjnë me rregullimin e jetës së kësaj bote. Përmes Kur'anit, Allahu i Lartësuar i edukon robërit e Tij me moralin më të lartë dhe me cilësitë e virtytet më të mrekullueshme.

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë