Sureja Hud (هود) (Ajet 110)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




11 Hud(هود), Ajet 110

وَلَقَدْ آتَيْنَا مُوسَى الْكِتَابَ فَاخْتُلِفَ فِيهِ ۚ وَلَوْلَا كَلِمَةٌ سَبَقَتْ مِنْ رَبِّكَ لَقُضِيَ بَيْنَهُمْ ۚ وَإِنَّهُمْ لَفِي شَكٍّ مِنْهُ مُرِيبٍ 110 ١١٠

Na, me të vërtetë, ia kemi dhënë Musait Librin, për të cilin është shkaktuar përçarje mendimesh. E, sikur të mos i kishtë paraprirë fjala e Zotit tënd, (që do të bëhet dënimi në jetën tjetër), do të gjykoheshin menjëherë. Me të vërtetë, ata për këtë janë në dilemë, e cila i shpie në dyshim të madh. (110)

Tefsiri

Ne i dhamë Musait Librin, rreth të cilit kanë pasur kundërshtime. -

Allahu i Lartësuar tregon për librin që i dha Musait (a.s.), i cili ishte Teurati. Ai ishte libër plot me porosi dhe dispozita të mrekullueshme. Ishte e detyrueshme për popullin që, në pajtim të plotë, t’i zbatonin dhe të jetonin sipas dispozitave e ligjeve të tij. Megjithatë, ata patën kundërshtime me njëri-tjetrin pikërisht rreth themeleve të fesë dhe të besimit të përcaktuara në Teurat.

Sikur të mos kishte qenë vendimi i Zotit tënd, i përcaktuar më herët, me siguri çështja do të kishte marrë fund. -

Sikur të mos ishte vendimi i Zotit për të mos i ndëshkuar ata menjëherë, por për t’u lënë një afat, çështja e tyre do të kishte marrë fund, domethënë, do të ndëshkohej çdo zullumqar për padrejtësinë e bërë. Por Allahu i Lartësuar, me urtësinë e Tij, vendosi që t’u linte afat deri Ditën e Gjykimit, ditën kur do t’u jepet ndëshkimi i merituar.

Por ata kanë dyshime rreth tij dhe janë në mëdyshje. -

Ata mbetën të çoroditur dhe sorollaten në dyshimet e tyre. Prandaj, nëse me librin dhe me themelet e fesë të tyre çifutët sillen në këtë mënyrë, si pret të sillen ata me Kur'anin dhe fenë që Zoti ta shpalli ty?! Kështu, mos u çudit aspak kur ata të kundërshtojnë. Mos u habit që ata nuk të besojnë dhe kanë dyshime të vazhdueshme rreth Shpalljes së Allahut të Lartësuar.

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë