Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.
أَفَمَنْ كَانَ عَلَىٰ بَيِّنَةٍ مِنْ رَبِّهِ وَيَتْلُوهُ شَاهِدٌ مِنْهُ وَمِنْ قَبْلِهِ كِتَابُ مُوسَىٰ إِمَامًا وَرَحْمَةً ۚ أُولَٰئِكَ يُؤْمِنُونَ بِهِ ۚ وَمَنْ يَكْفُرْ بِهِ مِنَ الْأَحْزَابِ فَالنَّارُ مَوْعِدُهُ ۚ فَلَا تَكُ فِي مِرْيَةٍ مِنْهُ ۚ إِنَّهُ الْحَقُّ مِنْ رَبِّكَ وَلَٰكِنَّ أَكْثَرَ النَّاسِ لَا يُؤْمِنُونَ
A mos vallë, ata që duan vetëm jetën e kësaj bote, janë të barabartë me ata që mbështeten në dokumentet e qarta të Zotit të tyre; këtë e pason dëshmitari nga Perëndia (Kur’ani), dhe qysh para tij (Kur’anit) Libri i Musait, i cili ka qenë udhërrëfyes dhe mëshirë nga Perëndia? Këta (që mbështetën në këto dokumente) besojnë Kur’anin. E, cilido nga grupet që e mohojnë atë, vend i premtuar i tij është zjarri. Andaj, ti kurrsesi, mos dysho në të; se, ai padyshim, është e vërteta prej Zotit tënd, por shumica e njerëzve nuk besojnë. (17)
E kush mund të krahasohet me atë që mbështetet në argumentin e qartë nga Zoti i tij,... -
Ata janë të mbështetur në argumentin e qartë nga Zoti i tyre, janë të mbështetur në Shpalljen e Tij. Kur’ani dhe Tradita e Profetit përmbajnë sqarimin e mjaftueshëm dhe të plotë për të gjitha çështjet e rëndësishme. Argumentet e sjella përmes kësaj Shpalljeje janë tejet të qarta dhe të kuptueshme për të gjithë, prandaj janë gjithmonë triumfuese. Ato japin gjithnjë siguri të plotë. Pastaj i Lartësuari thotë:...i ndjekur nga dëshmues prej tij,... -
Këto fakte e argumente, që prodhojnë siguri të padiskutueshme, i mbështet dhe përforcon akoma edhe më shumë një tjetër dëshmuese. Kjo është natyra e pastër dhe e patrazuar e njeriut me logjikën e tij të shëndoshë. Ajo dëshmon për vërtetësinë e Shpalljes së Zotit dhe për ligjin e Tij. Logjika e shëndetshme e pranon të mirën si të mirë dhe të keqen si të keqe. Kjo është dritë mbi dritë. Shpallja e saktë, e ruajtur dhe e sigurt, e bashkuar me logjikën e shëndetshme dhe me natyrën e pastër, sjell besim të kthjellët dhe vepra të mrekullueshme. Përveç këtyre dy dëshmive e fakteve, i Madhëruari sjell edhe një fakt tjetër, që vërteton vërtetësinë e Islamit dhe ligjeve të tij:...me atë që i parapriu Libri i Musait si udhërrëfyes e mëshirë?! -
Dëshmi për vërtetësinë e fesë dhe të ligjeve që Muhamedi (a.s)përcolli, është edhe Libri (Teurati) që iu dha Musait. Atë libër Zoti e bëri udhërrëfyes për njerëzit dhe mëshirë për ta. Vetë Teurati dëshmon për vërtetësinë e Kur'anit dhe besnikërinë e të Zgjedhurit, që e përcolli atë prej Zotit te njerëzit. Porositë dhe mësimet e të dy librave janë në sinkron të plotë me njëra-tjetrën. Vetë Teurati dëshmon për vërtetësinë e ligjeve të Kur'anit, Shpalljes së fundit të Zotit për krijesat. Atëherë, a është njëlloj një njeri që bazohet në të tilla argumente kaq të forta, me atë që sorollatet në errësirat e paditurisë dhe pasigurisë, duke mos dalë asnjëherë prej tyre?! Pa dyshim që nuk mund të jenë njëlloj tek Allahu i Madhëruar. Edhe në sytë e krijesave këta nuk mund të jenë njëlloj.Këta e besojnë vërtet atë. -
Ata të cilëve iu hap drita e arsyes së shëndetshme dhe iu dha sukses që t’i shohin qartë argumentet, e besojnë të vërtetën e shpallur nga Zoti. Ata që vërtetë e dëshirojnë dhe e synojnë të vërtetën kanë për ta besuar Shpalljen që i erdhi Muhamedit a.s. Nëse ky besim është i sinqertë, ai do të prodhojë vepra të mira që Zoti i do, është i kënaqur me to dhe i shpërblen. Kjo do t'u sjellë atyre lumturinë në dynja dhe në ahiret. Ndërsa ata të cilët e mohojnë Kur'anin, qofshin nga të gjitha grupacionet që ekzistojnë në tokë, qofshin edhe të organizuar për ta kundërshtuar këtë fe dhe për të penguar krijesat nga përqafimi i saj, le ta dinë se Zjarri është premtimi për ta. I Madhëruari thotë:Ndërsa për grupimet që e mohojnë atë, Zjarri është vendi i premtuar. -
Është i padiskutueshëm fakti që ata do të përballen me Zjarrin e ndezur fort.Prandaj ti kurrsesi mos dysho në të! Ai është e vërteta e sigurt prej Zotit tënd, e megjithatë, shumë prej njerëzve nuk besojnë. -
Mos ki as më të voglin dyshim apo pasiguri në faktin që kjo është Shpallja e vërtetë nga Zoti yt, edhe nëse shumica e njerëzve nuk e besojnë një gjë të tillë. Ata që nuk e besojnë këtë të vërtetë e bëjnë ose nga injoranca e tyre, ose nga padrejtësia, inati, smira dhe devijimi i zemrave të tyre nga e vërteta. Nëse qëllimi i njeriut është kërkimi i të vërtetës dhe nëse arsyetimi i tij është i saktë dhe objektiv, ai nuk ka pse të privohet nga e vërteta. Ai që e synon të vërtetën dhe, në emër të këtij qëllimi, e kërkon të vërtetën duke marrë dituri dhe duke e analizuar atë me drejtësi dhe objektivitet, ka për ta gjetur këtë të vërtetë dhe do ta besojë atë sinqerisht. E si do të ndodhë ndryshe, kur edhe arsyeja e shëndetshme dhe natyra e pastër e tërheqin drejt këtij besimi të natyrshëm?!Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë