Sureja En-Nahl (Bletët — النحل) (Ajet 96)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




16 En-Nahl(النحل), Ajet 96

مَا عِنْدَكُمْ يَنْفَدُ ۖ وَمَا عِنْدَ اللَّهِ بَاقٍ ۗ وَلَنَجْزِيَنَّ الَّذِينَ صَبَرُوا أَجْرَهُمْ بِأَحْسَنِ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ 96 ٩٦

Ajo që është te ju – është e përkohshme, e ajo që është te Perëndia – është e përhershme. Dhe Na, me të vërtetë, do t’i shpërblejmë ata që kanë duruar, me shpërblimin më të mirë për atë që kanë punuar. (96)

Tefsiri

Ajo që keni pranë vetes është e përkohshme, kurse ajo që është tek Allahu është e përjetshme. -

Jepini rëndësi dhe përparësi asaj që do të mbesë përgjithmonë, e jo asaj që do të zhduket. Të jeni të bindur se gjithçka që keni, edhe nëse është shumë e ju mahnit, ka për të marrë fund e do të zhduket një ditë. Ndërsa ajo që është tek Zoti do të mbesë përgjithmonë. Ashtu si Zoti që është i përjetshëm, edhe ato mirësi të mrekullueshme nuk do të zhduken kurrë. Ai që i jep përparësi kësaj bote të shkurtër e të përçmuar, kundrejt jetës tjetër të përjetshme, nuk është aspak i mençur. Ky ajet ngjan me ajete të tjera, ku Zoti thotë, për shembull: “Por ju po i jepni përparësi jetës së kësaj bote, kur dihet se jeta e botës tjetër është më e mirë dhe e përjetshme.” [El ea’la 16, 17]. Ose: “Ndërsa për ata që e kanë frikë Zotin e tyre, do të ketë Xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe në të cilët do të jenë përgjithmonë. Kjo është një dhuratë e mrekullueshme nga Allahu. Ajo çka gjendet tek Allahu është më e mirë për punëmirët." [Al Imran 198]. Këto ajete janë nxitje për të qenë asketë në këtë botë. Kjo jetë dhe bukuritë e saj nuk duhet të jenë synimi kryesor në zemrat tona. Këtu bëhet fjalë për atë lloj asketizmi që është i detyrueshëm për besimtarin e që nënkupton ruajtjen e zemrës nga ato lloj kënaqësish që janë të dëmshme për njeriun dhe e bëjnë atë të shpërfillë detyrimet me të cilat e ka ngarkuar Zoti i tij. Njeriu e ka detyrë të jetë asket (zahid) ndaj atyre gjërave që e pengojnë të plotësojë përgjegjësitë ndaj Allahut. Një mënyrë që ndihmon të jesh zahid është të krahasosh kënaqësitë e pakta të kësaj jete me kënaqësitë e përjetshme dhe të shumëfishta të ahiretit. Nëse e shqyrton, do të shohësh një dallim shumë të madh, i cili do të bëjë që t’i japësh përparësi më të mirës. Asketizmi i lavdërueshëm nuk duhet kuptuar si veçim vetëm për të kryer disa adhurime individuale, si namazi, agjërimi, dhikri etj. Zuhd-i i vërtetë është kryerja e të gjitha porosive të Sheriatit të Zotit, që kryhen haptazi dhe fshehtazi. Pjesë thelbësore e zuhd-it është edhe ftesa e njerëzve në fenë e Zotit, me fjalët dhe veprat e tua. Zuhdi vërtetë është ai që e nxit njeriun të plotësohet në çdo aspekt që e bën të dobishëm në sferën fetare dhe atë jofetare, si për veten, ashtu edhe për të tjerët. Ai nxit për të arritur çdo virtyt e vlerë që i sjell mirësi në të dyja jetët.

Ne do t’u japim durimtarëve shpërblimin më të mirë për atë që bënë. -

Një e mirë shpërblehet me dhjetëfishin e deri në shtatëqindfishin e saj. Allahu nuk ua humbet shpërblimin atyre që bëjnë mirë.

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë