Sureja El-Isra (Udhëtimi i Natës — الإسراء) (Ajet 78)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




17 El-Isra(الإسراء), Ajet 78

أَقِمِ الصَّلَاةَ لِدُلُوكِ الشَّمْسِ إِلَىٰ غَسَقِ اللَّيْلِ وَقُرْآنَ الْفَجْرِ ۖ إِنَّ قُرْآنَ الْفَجْرِ كَانَ مَشْهُودًا 78 ٧٨

Kryeje namazin prej kthimit të Diellit (nga gjysma e qiellit) deri në errësirën e natës dhe leximin e Kur’anit në agim (namazin e sabahut); me të vërtetë, namazi i sabahut është i dëshmuar. (78)

Tefsiri

Fale namazin... -

Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin e Tij të dashur, Muhamedin (a.s) që ta përkryejë namazin, qoftë në lidhje me veprat e dukshme të tij, qoftë në lidhje me aspektin e brendshëm. Ai e udhëron që ta falë namazin në kohët e përcaktuara, si më poshtë:

...kur nis e ulet dielli... -

Në kohën kur dielli anon drejt perëndimit, pasi zbret nga zeniti. Këtu flitet për namazin e drekës dhe atë të ikindisë.

...dhe kur erret nata. -

Këtu është fjala për namazet që kryhen gjatë natës, pra, për namazin e akshamit dhe atë të jacisë.

Dhe lexoje Kur'anin e agimit. Vërtet, leximi i Kur'anit të agimit është i dëshmuar. -

Ky është namazi i sabahut, në agim. Allahu e ka quajtur “Kur'ane el fexhri” - Kur'ani i agimit, sepse gjatë këtij namazi lexohet më gjatë Kur'an sesa në namazet e tjera. Gjithashtu, arsye tjetër është edhe se leximi gjatë kohës së namazit është shumë i dobishëm dhe i shpërblyeshëm. Ky namaz dëshmohet nga Allahu në mënyrë të veçantë dhe nga melekët e natës dhe të ditës, që ndërrohen me njëri-tjetrin pikërisht në atë kohë. Në këtë ajet janë përmendur pesë vaktet e namazit. Kështu, namazi në këto vakte është detyrim, sepse është ka një urdhër të posaçëm për t’u falur në këto vakte. Nga ajeti kuptohet se hyrja e kohës është kusht i domosdoshëm për saktësinë e namazit dhe, gjithashtu, është shkak për detyrueshmërinë e namazit. Hyrja e kohës është trajtuar nga feja si shkak që e bën të detyrueshëm namazin. Pa hyrjen e kohës, namazi nuk është i saktë dhe nuk është detyrë të falet, sepse Allahu urdhëroi që të falemi kur të hyjë koha në këtë vakt. Gjithashtu, duke qenë se Allahu i përmend bashkë kohën e drekës dhe ikindisë, ndërsa kohën e akshamit me të jacisë, kjo tregon se në raste nevoje mund të bëhet bashkimi i namazit të drekës me atë të ikindisë, ndërsa namazi i akshamit me atë të jacisë. Në këto ajete tregohet rëndësia dhe dobia e madhe e namazit të sabahut. Tregohet gjithashtu se është e pëlqyeshme që të zgjatet leximi i Kur'anit në këtë namaz. Gjithashtu, ajeti tregon se leximi i Kur'anit gjatë namazit është shtyllë e domosdoshme e tij, pa të cilin namazi nuk pranohet. Emërtimi i një adhurimi me emrin e një pjese të tij tregon se kjo pjesë është shtyllë e domosdoshme e këtij adhurimi.

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë