Sureja El-Bekare (Lopa — البقرة) (Ajet 116)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




2 El-Bekare(البقرة), Ajet 116

وَقَالُوا اتَّخَذَ اللَّهُ وَلَدًا ۗ سُبْحَانَهُ ۖ بَلْ لَهُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ ۖ كُلٌّ لَهُ قَانِتُونَ 116 ١١٦

Ata (të krishterët) thanë: “Perëndia ka fëmijë”. Ai është i pastër nga ajo veçori. Por, me të vërtetë, çdo gjë që gjendet në qiej dhe në Tokë janë të Tij, dhe Atë e adhurojnë të gjithë. (116)

Tefsiri

Ata thonë: “Allahu ka lindur një djalë” -

Këtë gjë e kanë thënë çifutët, të krishterët dhe shumë idhujtarë. Ata, padrejtësisht dhe paturpësisht, e kanë përshkruar Allahun me diçka që kurrsesi nuk i shkon për shtat madhështisë së Tij. Kjo është një fyerje e madhe dhe shpifje e ulët. Kështu ata i bëjnë padrejtësi vetvetes. Por Allahu i Lartësuar vazhdon të jetë Durimtar, duke i mëshiruar ata në këtë jetë. Ai vazhdon t'i ruajë dhe t'i furnizojë, me gjithë fyerjet e tyre të vazhdueshme në adresë të Tij.

I pastër është Ai nga çdo e metë. -

Kuptimi: I shenjtë, i pastër është Ai nga çdo e metë me të cilën e përshkruajnë qafirët dhe të padrejtët. Ai është i pastër dhe larg çdo cilësie që nuk i shkon madhështisë së Tij. Ai është i Plotë në çdo aspekt. Mangësia është shumë larg Tij, në çdo këndvështrim. Ndonëse fakti që Ai është i pastër nga çdo e metë mjafton si kundërpërgjigje ndaj tyre, Allahu i Lartësuar u sjell edhe një tjetër argument:

E Tij është gjithçka në qiej dhe në tokë -

Kuptimi: Të gjitha janë pronë e Tij dhe të gjithë i janë nënshtruar Atij. Ai ka të drejtë të veprojë në pasurinë dhe mbretërinë e Tij, me të gjitha të drejtat që i jep sundimi i tij Absolut.

Atij i është nënshtruar gjithçka. -

Të gjithë i janë nënshtruar dhe janë nën përkujdesjen e Tij. Kështu pra, nëse të gjithë janë krijesat e Tij dhe të gjithë kanë nevojë për kujdesin e Tij, ndërsa Ai nuk ka nevojë për asnjë prej tyre, atëherë si mund të mendohet që mes krijesave të Tij të jetë dikush biri i Tij?! Dihet që fëmija do të jetë prej natyrës së prindit të tij, sepse fëmija është një pjesë prej prindit. Allahu i Lartësuar është Sunduesi dhe Nënshtruesi i gjithçkaje, ndërsa ju jeni të sunduar dhe të nënshtruar. Ai është i Pasur dhe nuk ka nevojë për asgjë, ndërsa ju jeni të varfër e nevojtarë për Atë, në çdo aspekt. Atëherë, si mund të mendohet që prej këtij lloji të dalë një fëmijë i të Pakrahasueshmit, Absolutit?! Kjo është ideja më boshe dhe më e pavlerë që mund të jetë shprehur ndonjëherë. Duhet ditur se nënshtrimi ndaj Allahut është dy llojesh:

1 Nënshtrim i përgjithshëm, të cilin e kanë të gjitha krijesat. Të gjitha krijesat janë të nënshtruara ndaj Tij dhe kanë nevojë për përkujdesjen e Tij.

2 Nënshtrim i posaçëm. Ky është nënshtrimi i adhurimit. Pra, këtë e kanë vetëm të nënshtruarit me vullnet dhe vetëdije, të cilët e adhurojnë Allahun e Madhëruar. Në ajetin e mësipërm flitet për llojin e parë të nënshtrimit. Ndërsa lloji i dytë përmendet në ajete të tjera, si për shembull: “Dhe qëndroni në këmbë për Allahun, duke i shprehur Atij nënshtrimin tuaj”. [Bekare, 238]. Më tej, i Madhëruari thotë:

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë