Sureja El-Bekare (Lopa — البقرة) (Ajet 119)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




2 El-Bekare(البقرة), Ajet 119

إِنَّا أَرْسَلْنَاكَ بِالْحَقِّ بَشِيرًا وَنَذِيرًا ۖ وَلَا تُسْأَلُ عَنْ أَصْحَابِ الْجَحِيمِ 119 ١١٩

Na me të vërtetë, të kemi dërguar Ty (O Muhammed!) me të drejtë sihariques dhe paralajmërues, dhe ti nuk do të pyesësh për të dënuarit në shkëterrë. (119)

Tefsiri

Pa dyshim, Ne të dërguam ty me të Vërtetën, -

Ky argument i përfshin të gjitha argumentet e shenjat që Allahu solli me Profetin e Tij (a.s). Ky argument përbëhet nga tri elementë kryesorë, që janë:

1 Vetë dërgimi i Profetit (a.s).

2 Biografia, tradita dhe udhëzimet e Profetit (a.s).

3 Mësimi i të vërtetës së madhe nëpërmjet Profetit (a.s).Dy elementë e parë të argumentimit i përmban pjesa: “Ne të dërguam ty…”, kurse i treti gjendet në pjesën: “…me të vërtetën”. Por si mund të jetë argument që vërteton saktësinë dhe vërtetësinë e këtij Profeti vetë dërgimi i tij?! Kjo mund të kuptohet plotësisht nëse shihet në këtë kontekst: Së pari, gjendja e njerëzimit para dërgimit të këtij Profeti ishte shumë e rëndë. Njerëzit adhuronin putat, zjarrin, kryqin dhe i kishin tjetërsuar porositë e profetëve të tyre. Ata jetonin në errësirën e plotë të kufrit, duke qenë krejt të pashpresë. Përjashtim bënte vetëm një pakicë e vogël, e papërfillshme, që kishte mbetur nga ato bashkësi që kishin patur dikur libër hyjnor, të cilat ishin zhdukur para se të shfaqej profeti Muhamed (a.s). Së dyti, duhet kuptuar që, Allahu i Lartësuar nuk i ka krijuar njerëzit për t'i lënë të çoroditur. Ai nuk do t'i linte ata pa i udhëzuar, sepse Ai është i Urti dhe i Dituri. Allahu është, gjithashtu, i Plotfuqishëm dhe Mëshirues. Rrjedhimisht, urtësia dhe mëshira e Tij mbi krijesat do të shfaqej me dërgimin e Profetit (a.s), i cili do t'i urdhëronte njerëzit që të adhuronin Mëshiruesin si Një të vetëm, duke mos i shoqëruar Atij asgjë e asnjë. Në këtë kontekst, çdo njeri me mend e kupton domosdoshmërinë e dërgimit të një Profeti të vërtetë e të sinqertë, dhe kjo vërteton se ai ishte realisht i Dërguari i Allahut. Po për sa i përket pikës së dytë, në çfarë mënyre tregon historia dhe tradita e Profetit (a.s) për vërtetësinë e tij si i Dërguar prej Allahut të Lartësuar? Çdokush që sheh me imtësi historinë e tij të plotë të jetës, që nga koha para Shpalljes e deri në çastin e fundit, fëmijërinë dhe edukimin e tij me cilësitë më të larta, dhe pastaj sheh se si cilësitë e tij të shkëlqyera dhe morali i tij i lartë, me kalimin e viteve, u përsosën dhe u shtuan më shumë, patjetër që do të arrijë në këtë përfundim. Arsyeja është se këto janë pikërisht cilësi të profetëve të Allahut, në përgjithësi, dhe cilësitë e përsosura të një të Dërguari të madh, në veçanti. Allahu i Lartësuar i ka bërë cilësitë e karakterit si treguesit më të fortë të sinqeritetit apo të mashtrimit të njeriut. Ndërsa elementi i tretë që vërteton se ai njeri ishte i Dërguari i Zotit të botëve është njohja e të vërtetës të cilën ai e solli prej Zotit të botëve. Ai solli Kur’ânin e shenjtë dhe, nëpërmjet tij, ligjin e jetës. Në Kur’ân gjenden përshkrime të sakta të ngjarjeve të së kaluarës dhe të së ardhmes, gjenden urdhra që nxisin për çdo vepër e fjalë të mirë e të dobishme, gjenden ndalesa që na frenojnë e largojnë prej çdo cilësie dhe vepre të shëmtuar dhe të dëmshme. Kur’âni përmban mrekulli të panumërta. Si përfundim, ky fragment i ajetit që po zbërthejmë i përfshin të gjitha llojet e argumenteve dhe të shenjave të vërtetësisë së Shpalljes.

…si përgëzues dhe paralajmërues. -

Domethënë, Allahu i Lartësuar e dërgoi profetin Muhamed si përgëzues për ata që i binden dhe pasojnë rrugën e Tij, se do të jenë të lumtur në këtë jetë dhe në jetën tjetër; dhe si paralajmërues (nedhîra) i atyre që kundërshtojnë dhe nuk i binden, se do të përjetojnë dëshpërimin dhe ndëshkimin e kësaj jete dhe të jetës tjetër.

Ti nuk do të mbash përgjegjësi për banorët e Zjarrit të madh. -

Kuptimi: Ti nuk ke përgjegjësi për ta. Ti ke për detyrë veçse përcjelljen e qartë të mesazhit, ndërsa llogaria dhe marrja në përgjegjësi e tyre është detyrë e Allahut të Lartësuar.

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë