Sureja El-Bekare (Lopa — البقرة) (Ajet 159)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




2 El-Bekare(البقرة), Ajet 159

إِنَّ الَّذِينَ يَكْتُمُونَ مَا أَنْزَلْنَا مِنَ الْبَيِّنَاتِ وَالْهُدَىٰ مِنْ بَعْدِ مَا بَيَّنَّاهُ لِلنَّاسِ فِي الْكِتَابِ ۙ أُولَٰئِكَ يَلْعَنُهُمُ اللَّهُ وَيَلْعَنُهُمُ اللَّاعِنُونَ 159 ١٥٩

Me të vërtetë, ata që fshehin dokumenta Tona të qarta, që i kemi shpallur Ne, dhe orientimin e drejtë, pasi që ua kemi treguar njerëzve në Librin (e Teuratit), ata i mallkon Perëndia, i mallkojnë edhe të gjithë ata që janë kompetentë të mallkojnë; (159)

Tefsiri
Këto ajete, ndonëse kanë zbritur për ithtarët e Librit (çifutët dhe të krishterët), që fshehën të vërtetën rreth Kur’ânit dhe Muhamedit (a.s), ato janë paralajmërim për të gjithë ata njerëz që mundohen të fshehin ndonjë gjë prej Shpalljes së Zotit.

Ata të cilët fshehin argumentet e qarta dhe udhëzimin që Ne shpallëm, pasi Ne ua sqaruam ato njerëzve në Libër… -

Ky ajet përfshin të gjithë ata që fshehin argumentet e qarta të Shpalljes së Zotit ose udhëzimet për të arritur çdo të mirë dhe për t'u ruajtur nga çdo e keqe. Me fjalë të tjera, ajeti flet për ata që fshehin të vërtetën, e cila të udhëzon të ecësh në rrugën e drejtë, për te Zoti i Lartësuar, ose për ata që fshehin udhëzimin që të çon në Xhenet dhe të largon nga Zjarri i Xhehenemit. Allahu i Lartësuar u ka marrë premtimin dijetarëve, se ata do ta përcjellin të vërtetën dhe kurrë nuk do ta fshehin atë. Ata që nuk e mbajnë këtë premtim kanë dy të këqija: së pari, ata janë fshehës të së vërtetës së shpallur nga Zoti dhe, së dyti, janë të padrejtë ndaj njerëzve të thjeshtë, sepse i drejtojnë në humbje dhe shkatërrim. Të tillët sigurisht që e kanë hak mallkimin e Allahut dhe të çdo krijese, siç thuhet më tej:

…mbi ta do të bjerë mallkimi i Allahut dhe mallkimi i gjithë mallkuesve. -

Ata e meritojnë këtë mallkim, sepse ata mashtrojnë krijesat dhe shkatërrojnë lidhjet e tyre me Zotin. Ata i largojnë njerëzit nga mëshira e Allahut, prandaj shpërblehen sipas veprës së tyre. Në anën tjetër, dijetarët që u mësojnë njerëzve të mirën, që u tregojnë atyre rrugën për tek Allahu dhe kënaqësia e Tij, do të shpërblehen me mëshirë dhe grada të larta nga Allahu. Për ta luten edhe melekët, madje edhe peshqit e detit, sepse përpiqen të përmirësojnë krijesat dhe lidhjen e tyre me Zotin. Ata u mësojnë krijesave fenë e Zotit dhe rrugët për të fituar mëshirën e Tij. Atëherë, sikurse dijetarët e së vërtetës do të shpërblehen për punën e mirë që kanë kryer, po ashtu ata që e fshehin të vërtetën do të "shpërblehen" për punën e tyre të keqe. Ata do të meritojnë mallkimin, sepse janë bërë kundërshtarë të rrugës së Zotit dhe të urdhrave të Tij. Allahu i Lartësuar i qartëson argumentet e Tij për njerëzit, ndërsa ata i fshehin ose i shtrembërojnë ato. Të tillët e meritojnë ndëshkimin e paralajmëruar në këtë ajet. Por Allahu i Lartësuar përjashton nga ky gjykim një kategori:

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë