Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.
إِنَّمَا يَأْمُرُكُمْ بِالسُّوءِ وَالْفَحْشَاءِ وَأَنْ تَقُولُوا عَلَى اللَّهِ مَا لَا تَعْلَمُونَ
Ai vetëm ju nxitë në të këqija dhe në vepra të turpshme dhe të flisni kundër Perëndisë ato gjëra që nuk i dini. (169)
Ai ju urdhëron vetëm për të këqija e poshtërsi dhe ju shtyn që të thoni për Allahun gjëra që nuk i dini. -
Kuptimi: Ai ju urdhëron për të këqija, të cilat e trishtojnë personin që i kryen ato. Fjala “të këqija” përfshin të gjitha llojet e gjynaheve dhe të mosbindjes ndaj Zotit. Më pas vjen fjala “faĥshã” – “poshtërsi”, domethënë vepra e keqe në mosbindje ndaj Zotit, e cila sigurisht që përfshihet në termin “të këqija”, por ajo përmendet në mënyrë të veçantë për të përshkruar më hollësisht gjërat për të cilat urdhëron shejtani. Kështu, shejtani i urdhëron njerëzit për bërë të këqija, të cilat sjellin dëshpërim për vepruesit e tyre, dhe për të bërë vepra të ulëta, sikurse janë imoraliteti, konsumi i pijeve dehëse, vrasja pa të drejtë e tjetrit, shpifjet, koprracia etj., të cilat janë të fëlliqura për çdo njeri me logjikë. Një ndër veprat më të ndyra për të cilën shejtani i urdhëron njerëzit, është edhe ajo që thotë Allahu: “Ai ju shtyn që të thoni për Allahun gjëra që nuk i dini” - Në këtë përcaktim hyjnë:- Ata që flasin rreth Allahut pa dije të sigurt dhe pa dëshmi të qarta, të sjella nga Ai, nëpërmjet Profetit të Tij.- Ata që flasin rreth dispozitave dhe përcaktimeve të Zotit, pa dije dhe pa fakte.- Ata që e përshkruajnë Allahun ndryshe nga ç'e ka përshkruar Ai Veten dhe ndryshe nga ç'e ka përshkruar Atë Profeti i Tij.- Ata të cilët ia mohojnë Zotit ato cilësi, emra dhe vepra të Tij, të cilat Ai i ka pohuar për Veten e Tij dhe i ka pohuar për Të Profeti i Tij.- Ata të cilët pretendojnë se Allahu i Lartësuar ka partnerë të barabartë me Të, të cilët i afrojnë adhuruesit e tyre tek Allahu i Lartësuar. Këta besojnë se idhujt, të cilët i adhurojnë dhe u përkushtohen, do t'i afrojnë më shumë tek Allahu i Lartësuar.- Ata të cilët thonë: “Allahu e ka bërë këtë të lejuar dhe atë të ndaluar, për këtë ka urdhëruar dhe për atë ka ndaluar”, duke mos pasur asnjë dije dhe dëshmi nga Allahu i Lartësuar dhe Profeti i Tij.- Ata të cilët pretendojnë se Allahu e ka krijuar këtë apo atë gjë, për këtë shkak dhe atë arsye, duke mos pasur për këtë dëshmi të sigurt nga Zoti dhe Profeti i Tij.- Ata të cilët i interpretojnë fjalët e Allahut dhe të Profetit të Tij, duke u dhënë atyre kuptime që Allahu i Lartësuar dhe Profeti i tij nuk i kanë synuar kurrë, por që i kanë sajuar veç njerëzit e humbur. Ata e kuptojnë fjalën e Allahut dhe të Profetit të Tij veçse në formën dhe mënyrën e diktuar nga grupet e humbura, që janë pasues të shejtanit.Njerëzit që flasin për Allahun pa dije konsiderohen si pasuesit më të denjë të shejtanit, sepse ata i pengojnë njerëzit të pinë nga i vetmi burim i shpëtimit të tyre, që është fjala e Zotit dhe e Profetit të Tij. Të folurit për Allahun pa dije dhe pa fakte është nga ligësitë më të mëdha që shejtani i mallkuar dhe ushtria e tij urdhërojnë. Ata përdorin të gjitha kurthet dhe mashtrimet për të devijuar krijesat nga e vetmja rrugë e vërtetë. Ndërsa Allahu i Lartësuar, nga ana tjetër, urdhëron për drejtësi, për vepra të mira e bamirësi ndaj të afërmve, dhe ndalon nga veprat e ulëta, të këqija dhe padrejtësitë. Kështu, robi gjendet mes dy ftesave, prandaj le të jetë i kujdesshëm se cilën rrugë do të pasojë, se fjalën e kujt do të dëgjojë dhe do të zbatojë. A do të ndjekë ftesën e Allahut drejt lumturisë së dynjasë dhe të ahiretit? A do të pranojë urdhrin, bindja ndaj të cilit sjell sukses, lumturi dhe prehje? A do të pasojë rrugën e Bamirësit të madh, i cili urdhëron veçse për mirësi dhe çdo gjë të dobishme dhe ndalon nga çdo gjë e keqe, e neveritshme dhe e dëmshme? Apo do të zgjedhë ftesën e shejtanit të mallkuar, i cili është armik i hapur i tij?! Si mund të ndjekë robi rrugën e atij që i dëshiron të keqen, dëshpërimin dhe vuajtjen në këtë jetë dhe në jetën tjetër?! A nuk e di ai se çdo e keqe vjen si pasojë e pranimit të ftesës së shejtanit dhe e miqësimit me të?! I mallkuari urdhëron veçse për vepra të fëlliqura e shkatërruese, dhe ndalon nga çdo vepër e mirë dhe e dobishme. Pastaj Allahu i Lartësuar flet për gjendjen e idhujtarëve dhe për mënyrën se si reagojnë ata kur ftohen për të pasuar rrugën e drejtë, të sjellë nga Profeti i Allahut. Ai na tregon përgjigjen e tyre, kur ftohen për të pasuar Shpalljen nga Zoti i gjithësisë. Kështu, edhe pse janë njohur me ftesat e mësipërme, ata thonë:Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë