Sureja El-Bekare (Lopa — البقرة) (Ajet 21)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




2 El-Bekare(البقرة), Ajet 21

يَا أَيُّهَا النَّاسُ اعْبُدُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُمْ وَالَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ 21 ٢١

O njerëz! Aduroni Perëndinë, i cili u ka krijuar juve dhe ata para jush, për t’u ruajtur nga mohimi. (21)

Tefsiri

O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj… -

Ky është një urdhër gjithëpërfshirës, që u drejtohet të gjithë njerëzve, për një çështje që, në kuptimin e saj, është po ashtu gjithëpërfshirëse. Kjo çështje, për të cilën urdhërohen të gjithë njerëzit është adhurimi (ose ibadeti). Ky term përfshin tri aspekte kryesore, që janë:

1 Zbatimi rigoroz i urdhrave të Allahut të Lartësuar.

2 Largimi nga të gjitha ndalesat e Tij.

3 Pranimi, pohimi dhe besimi i plotë dhe pa mëdyshje te çdo lajm e kumt i ardhur prej Allahut të Lartësuar.Allahu Krenar e i Lartësuar i urdhëron njerëzit t’i përkushtohen asaj çështjeje, për hir të së cilës Ai i krijoi. Allahu i Madhëruar thotë në suren Dhariat, ajeti 56: “Unë i krijova xhindët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë”. Më poshtë, Allahu i Madhëruar shpjegon përse Ai duhet adhuruar si Një i vetëm, duke u kujtuar dhe u qartësuar njerëzve se vetëm Ai është Zoti i tyre, i Cili kujdeset për ta, duke u mundësuar mirësi të pafundme.

…i Cili ju krijoi ju dhe ata që ishin para jush! -

Pra, Ai ju krijoi ju dhe të parët tuaj, kur nuk ekzistonit fare; Ai ju solli në ekzistencë. Por cili është qëllimi i këtij adhurimi? I Madhëruari thotë:

që të bëheni të devotshëm … -

Kjo frazë mund të kuptohet në dy mënyra:

1 Nëse ju ia kushtoni adhurimet tuaja veç Allahut, të Vetmit dhe Absolutit, ju do të jeni të ruajtur dhe të sigurt nga zemërimi dhe ndëshkimi i Tij, sepse keni vepruar pikërisht atë gjë që e largon nga ju zemërimin dhe ndëshkimin e Tij.

2 Nëse ju ia kushtoni adhurimet tuaja vetëm Allahut të Lartësuar e të Pashoq, ju jeni bërë të devotshëm e, sigurisht, ndër të shpëtuarit.Të dyja kuptimet janë të sakta dhe, në fund të fundit, rrjedhin nga njëra-tjetra, sepse kush bën adhurim të pastër dhe të plotë veç për Allahun, është edhe i devotshëm, dhe kush është i devotshëm, sigurisht që ka shpëtuar prej zemërimit dhe ndëshkimit të Allahut të Lartësuar. Më tej, i Madhëruari vazhdon të na tregojë mirësitë e Tij:

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë