Sureja El-Bekare (Lopa — البقرة) (Ajet 224)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




2 El-Bekare(البقرة), Ajet 224

وَلَا تَجْعَلُوا اللَّهَ عُرْضَةً لِأَيْمَانِكُمْ أَنْ تَبَرُّوا وَتَتَّقُوا وَتُصْلِحُوا بَيْنَ النَّاسِ ۗ وَاللَّهُ سَمِيعٌ عَلِيمٌ 224 ٢٢٤

Mos e bëni pengesë betimin në Perëndinë për bërjen e veprave të mira, e në largimin prej çdo të lige dhe për harmoni të njerëzve! Se, Perëndia i dëgjon të gjitha dhe i din. (224)

Tefsiri
Mos të bëhet shkak betimi në Allahun, që t'ju pengojë të bëni vepra të mira, të ruheni nga të këqijat dhe të bëni paqe midis njerëzve. -

Qëllimi i betimit është madhërimi i atij në emër të të cilit përbetohesh dhe vërtetimi i asaj çështjeje për të cilën betohesh. Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që t'u përmbahemi betimeve dhe t'i plotësojmë ato. Normalisht, betimet duhet të plotësohen në të gjitha rastet, pa përjashtim. Megjithatë, Allahu i Lartësuar ka bërë disa përjashtime në këtë çështje. Kështu, për shembull, nëse plotësimi i betimit të çon në lënien e diçkaje tjetër që është më e dashur për Allahun e Lartësuar, atëherë betimi nuk duhet të plotësohet. Allahu i Lartësuar i ka ndaluar adhuruesit e Tij që, për hir të plotësimit të një betimi, të lënë veprat e mira apo të mos largohen nga veprat e këqija. Po ashtu, Ai i ka ndaluar njerëzit që t'i nxjerrin përbetimet si pengesë për të mos u pajtuar mes njëri-tjetrit. Ai që betohet se do të lërë pa kryer një detyrim, në fakt, e ka detyrë që ta thyejë betimin e tij dhe ta kompensojë atë sipas rregullit. Ai e ka haram që ta mbajë betimin e bërë. Gjithashtu, kush betohet se do të lërë një vepër që është e pëlqyeshme që të kryhet (musteĥab), e ka të pëlqyeshme që ta thyejë betimin e bërë dhe ta kompensojë sipas rregullit. Kush betohet se do të kryejë një vepër që është ĥaram, ai e ka të detyrueshme që ta thyejë betimin e bërë dhe duhet ta kompensojë atë sipas rregullit. Për atë që betohet se do të kryejë një vepër që është e papëlqyeshme (mekrûh), është e pëlqyeshme (musteĥab) që ta thyejë atë betim dhe ta kompensojë atë sipas rregullit. Së fundi, kush betohet për kryerjen apo moskryerjen e një çështjeje të lejuar, duhet t'i përmbahet betimit dhe të mos e thyejë atë. Me këtë ajet, dijetarët mbështesin parimin e njohur në Islam, që thotë: Nëse ka përplasje interesash, atëherë i jepet përparësi atij më të rëndësishmit. Më pas, Allahu i Lartësuar e përfundon ajetin me dy emra të mrekullueshëm të Tij, duke thënë:

Allahu Dëgjon dhe di gjithçka. -

Ai është Dëgjues (Semîun), domethënë Ai i dëgjon të gjitha zërat dhe fjalët që thuhen. Ai është edhe i Gjithëditur (Alîmun), pra, i di motivet dhe qëllimet e njerëzve. Allahu i dëgjon fjalët e atyre që betohen dhe i njeh qëllimet e tyre, a janë të mira apo të këqija. Ky ajet është një vërejtje nga Allahu i Lartësuar që të jemi të kujdesshëm, sepse Ai i di shumë mirë fjalët dhe qëllimet tona. Ai është i Drejtë në gjykimin e Tij dhe Bamirës ndaj krijesave. Pastaj thotë i Lartësuari:

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë