Sureja El-Bekare (Lopa — البقرة) (Ajet 34)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




2 El-Bekare(البقرة), Ajet 34

وَإِذْ قُلْنَا لِلْمَلَائِكَةِ اسْجُدُوا لِآدَمَ فَسَجَدُوا إِلَّا إِبْلِيسَ أَبَىٰ وَاسْتَكْبَرَ وَكَانَ مِنَ الْكَافِرِينَ 34 ٣٤

Kur u thamë engjujve: “Përuluni para Ademit” – ata u përulën, por Iblisi nuk deshi, ai e rriti mendjen dhe u bë i pafé. (34)

Tefsiri

Kur u thamë melekëve: “Bini në sexhde para Ademit, ata

(melekët)

menjëherë u përulën, përveç Iblisit. Ai refuzoi, shprehu mendjemadhësi dhe u bë prej mohuesve.” -

Të gjithë melekët nxituan për të zbatuar urdhrin e Allahut të Lartësuar dhe ranë në sexhde, përveç Iblisit. Ai refuzoi, shfaqi mëndjemadhësi dhe u bë prej mohuesve. Pra, vetëm Iblisi u ndalua dhe shprehu refuzim të fortë për të rënë në sexhde. Ai u tregua kryelartë, rebel dhe mendjemadh kundrejt urdhrit të Allahut dhe kundrejt vlerave dhe nivelit të Ademit (a.s.). Iblisi tha, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “A t’i bie në sexhde atij që Ti e krijove nga balta?!” Ky refuzim i fortë dhe kjo mendjemadhësi e mosbindje ndaj urdhrit, ishte rezultat i kufr-it, me të cilin Iblisi ishte i gatuar në vetvete. Pikërisht në ato momente u shfaq haptazi armiqësia që ai fshihte kundrejt Allahut të Lartësuar dhe Ademit (a.s.). Ky ishte haptazi mosbesimi dhe rebelimi i tij ndaj Allahut të Lartësuar. Në këto ajete ka shumë mësime dhe dobi, si:

1 Pohimi për Allahun e Lartësuar i cilësisë së Tij të të folurit. Ai ka qenë dhe vazhdon të jetë i cilësuar me këtë atribut. Ai thotë çfarë të dëshirojë dhe i flet kujt të dëshirojë. Ai është i cilësuar, gjithashtu, me dije dhe urtësi.

2 Në këto ajete gjejmë dëshmi që, nëse robi nuk arrin të konceptojë dhe të kuptojë plotësisht apo imtësisht ndonjë nga urtësitë e krijimit të Allahut të Lartësuar, apo të urdhrave që përmbajnë dispozitat e Tij, atëherë ai e ka për detyrë që të dorëzohet dhe t'i pranojë ato plotësisht, pa më të voglin ngurrim a mëdyshje. Ai duhet të pranojë plotësisht urtësinë e Allahut të Lartësuar edhe nëse, ndonjëherë, do t’i duhet të hedhë poshtë dhe të akuzojë mënyrën e vet të të menduarit, të konceptimit të gjërave, që, sigurisht, është e kufizuar, shpeshherë edhe e mangët (në varësi të ndikimeve që e rrethojnë).

3 Në këtë ajet tregohet rëndësia e madhe që i kushton Allahu i Lartësuar melekëve dhe bamirësia e madhe që Ai ka bërë ndaj tyre, duke u mësuar atë që nuk e dinin dhe duke u tërhequr vëmendjen ndaj asaj që nuk e kishin mësuar.

4 Në këtë ajet tregohet dobia dhe rëndësia e diturisë, në shumë aspekte:- Allahu i Lartësuar u prezantohet melekëve duke u treguar diturinë e Tij absolute dhe urtësinë e Tij madhështore.- Ai ua bëri të qartë melekëve se në ç’aspekt Ademi (a.s.) ishte më i mirë se ata, duke deklaruar, në këtë mënyrë, se dituria është cilësia më e mirë që mund të gjendet te dikush.- Kur u shfaq vlera dhe grada e Ademit (a.s.) në aspektin e diturisë, Allahu i Lartësuar i urdhëroi melekët që të binin në sexhde, në shenjë nderimi për të cilësuarin me këtë cilësi.

5 Grada e lartë në dituri bie më shumë në sy para dikujt tjetër, kur, fillimisht, vihet në provë njëra palë. Kur përgjigjja jepet nga më i dituri, del dhe shfaqet më e fuqishme vlera e të diturit kundrejt palës tjetër.

6 Në këto ajete jepen mësime dhe dituri për gradën e dy personave të rëndësishëm: babait të njerëzimit dhe babait të xhindëve. Në to jepet grada dhe vlerësimi i lartë për Ademin (a.s), babain e njerëzimit, dhe cilësitë që Allahu i Lartësuar i dhuroi Atij.

7 Gjithashtu, jepet qartë edhe armiqësia e ashpër që Iblisi shfaqi ndaj Ademit (a.s) dhe llojit të tij, e të tjera si këto.

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë