Sureja El-Bekare (Lopa — البقرة) (Ajet 48)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




2 El-Bekare(البقرة), Ajet 48

وَاتَّقُوا يَوْمًا لَا تَجْزِي نَفْسٌ عَنْ نَفْسٍ شَيْئًا وَلَا يُقْبَلُ مِنْهَا شَفَاعَةٌ وَلَا يُؤْخَذُ مِنْهَا عَدْلٌ وَلَا هُمْ يُنْصَرُونَ 48 ٤٨

dhe frikohuni Ditës kur askush për askend nuk do të mund të bëjë asgjë dhe kur nuk do të pranohet vërejtja e askujt, kur prej askujt nuk do të mirret kompensim dhe kur askush nuk do t’ju dalë në ndihmë. (48)

Tefsiri

Ruajuni asaj dite, kur askush, askujt nuk do të mund t’i bëjë asgjë! -

Askush, sado i nderuar dhe i madh qoftë: melek, profet, apo njeri i mirë, nuk do të ketë në dorë asnjë mundësi ndihme për askënd. Ata nuk mund të ndihmojnë asnjë, sado i dashur apo i afërt të jetë ai që kërkon ta ndihmojnë. E vetmja ndihmë për njeriun do të jetë prej veprave që ka bërë. Edhe ndërmjetësimet janë të papranueshme pa lejen dhe pa kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. I Lartësuari thotë:

Atë ditë nuk pranohet për të

(jobesimtarin)

ndonjë ndërmjetësim –

Për ndërmjetësimin duhet të plotësohen dy kushte: Së pari, të jepet leja nga Allahu i Lartësuar për të dhe, së dyti, Allahu i Lartësuar të jetë i kënaqur me atë për të cilin ndërmjetësohet. Nga ana tjetër, dihet shumë mirë që Allahu i Lartësuar nuk kënaqet nga vepra e askujt, nëse ajo vepër nuk plotëson dy kushte:

1 Të kryhet me sinqeritet për Allahun, duke kërkuar kënaqësinë e Tij.

2 Të kryhet në përputhje me traditën e Profetit (a.s) dhe mësimeve të tij.Nuk pranohet ndërmjetësim, por as kompensim, siç thotë i Madhëruari:

…Nuk pranohet prej tij kompensim, –

Për këtë, i Lartësuari thotë sërish në Kur’ân, "E sikur e tërë ajo çka gjendet në tokë, plus edhe një herë sa aq, të ishte e atyre që nuk besuan, ata do ta jepnin si kompensim, për t’i shpëtuar dënimit të tmerrshëm në Ditën e Kijametit. Atëherë, do të përballen prej Allahut me atë (lloj dënimi)që nuk kanë mundur as ta mendojnë." [Zumer 47]. Domethënë, nuk do të pranohet kompensim prej tyre. Ata, gjithashtu, nuk do të ndihmohen:

…e ata nuk kanë për t'u ndihmuar –

Domethënë, prej atyre nuk do të largohet ajo të cilës ata i druhen dhe asnjë krijesë nuk do të ketë mundësi t’u bëjë dobi apo t’u largojë ndonjë dëm. Thënia e Allahut: “la texhzi nefsun an nefisin shejâ” (…askush, nuk do të mund t’i bëjë asgjë askujt), tregon pamundësinë e të gjithëve për të bërë dobi atë ditë. Ndërsa thënia: “ue lâ hum junŝarûn” (e ata nuk kanë për t'u ndihmuar) tregon pamundësinë e tyre për të larguar të keqen dhe të dëmshmen. Në thënien e Allahut: “lâ juķbelu minhâ shefâ'atun” (nuk pranohet për të asnjë ndërmjetësim), dhe në thënien tjetër të Tij: “…Ue lâ ju'ħadhu minhâ adlun” (Nuk pranohet prej tij kompensim), mësohet diçka shumë e rëndësishme. Nëse njeriu e kupton se fitimi i të mirave dhe largimi i të këqijave nuk mund të arrihen duke ia kërkuar krijesave, atëherë ai kthehet për t'ia kërkuar sinqerisht ato të vetmit që mund t’ia dhurojë (Allahut). Arritja e të mirave dhe largimi i të këqijave nuk mund të bëhet, gjithashtu, as me kompensime dhe as me ndërmjetësime, sikurse ndodh mes krijesave. Atë ditë nuk do të jetë askush i aftë qoftë edhe për një grimcë dobie apo dëmi. Kjo është një ftesë e hapur që adhuruesi të lidhet fort dhe sinqerisht vetëm me Allahun e Lartësuar, duke i kërkuar të mirat veç prej Tij dhe duke kërkuar mbrojtje nga çdo e keqe vetëm tek Ai. Kjo është ftesë për ta adhuruar Atë si Një të vetëm, sepse veç Ai e meriton adhurimin tonë dhe vetëm tek Ai duhet të mbështetemi për t’i përkryer adhurimet tona.

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë