Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.
كُلُّ نَفْسٍ ذَائِقَةُ الْمَوْتِ ۗ وَإِنَّمَا تُوَفَّوْنَ أُجُورَكُمْ يَوْمَ الْقِيَامَةِ ۖ فَمَنْ زُحْزِحَ عَنِ النَّارِ وَأُدْخِلَ الْجَنَّةَ فَقَدْ فَازَ ۗ وَمَا الْحَيَاةُ الدُّنْيَا إِلَّا مَتَاعُ الْغُرُورِ
Çdo qenie e gjallë do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kijametit, dhe kushdo që largohet nga zjarri i xhehennemit (skëterrës) dhe hyn në xhennet, ai ka arritur atë që ka dëshiruar. E, jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese. (185)
Çdo njeri do ta shijojë vdekjen. Pastaj, shpërblimet tuaja do t’ju jepen të plota veçse Ditën e Kijametit. -
Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na nxit që të tregohemi të përmbajtur kundrejt kësaj dynjaje, duke na kujtuar se ajo një ditë do të fanitet e do të zhduket. Kënaqësitë dhe joshjet e saj janë veçse një përjetim i shkurtër dhe mashtrues. Çdokush që sprovohet me stolitë e saj, bie pre e kurtheve të saj dhe verbohet nga bukuritë e saj, harron që ajo do të largohet prej tij dhe ai do të largohet prej saj, për të shkuar në destinacionin përfundimtar të tij. Më pas, Allahu i Lartësuar na kujton ditën e vështirë dhe plot ankth të Kijametit, ditë kur do të jepet i plotë dhe me drejtësi shpërblimi i veprave të kryera në këtë jetë: o i mirë, o i keq, sipas meritës.Kush i shpëton Zjarrit e futet në Xhenet, ai vërtet ka fituar. Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër, veçse një përjetim mashtrues. –Domethënë, ka shpëtuar nga ndëshkimi i dhimbshëm dhe ka për të hyrë në Xhenetin e mirësive të pafundme. Ka fituar të drejtën për të jetuar në vendet e stolisura me bukuri, që as syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar dhe asnjë zemër nuk i ka përfytyruar. I kuptuar nga ana e kundërt, ajeti tregon se kush nuk shpëton prej Zjarrit dhe nuk futet në Xhenet, nuk ka dalë aspak i fituar. Kjo do të thotë se ai do të jetë i dëshpëruar dhe i dënuar përjetësisht. Ky ajet përmban një argument të bukur rreth vërtetësisë së shpërblimit në jetën e varrit (berzaħ). Çdokush do të shpërblehet pjesërisht gjatë jetës në varr për veprat që ka bërë. Kjo kuptohet nga fragmenti: “Pastaj, shpërblimet tuaja do t’ju jepen të plota veçse Ditën e Kijametit.” Pra, Allahu i Lartësuar na tregon se shpërblimi i plotë do të jetë vetëm Ditën e Gjykimit. Ndërsa një shpërblim i pjesshëm, kuptohet nga ajeti, do të jetë gjatë jetës së varrit. Jo vetëm kaq, por një pjesë të shpërblimeve, i Drejti dhe Bamirësi ua dhuron njerëzve që në këtë jetë, para vdekjes, sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Ne do t’i bëjmë ata të ‘shijojnë’ dënimin më të shpejtë (në dynja), para dënimit të madh (në ahiret)...”. [Sexhde 21].Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë