Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.
فِيهِ آيَاتٌ بَيِّنَاتٌ مَقَامُ إِبْرَاهِيمَ ۖ وَمَنْ دَخَلَهُ كَانَ آمِنًا ۗ وَلِلَّهِ عَلَى النَّاسِ حِجُّ الْبَيْتِ مَنِ اسْتَطَاعَ إِلَيْهِ سَبِيلًا ۚ وَمَنْ كَفَرَ فَإِنَّ اللَّهَ غَنِيٌّ عَنِ الْعَالَمِينَ
Në të ka shenja (simbole të dukshme, siç është) vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim). Kush hyn në të është i sigurt. Perëndia i ka obliguar njerëzit, ata që kanë mundësi t’i përballojnë rrugës, ta vizitojnë (haxhxhillëk) këtë Faltore. E kush i mohon urdhërat e Perëndisë (e dëmton veten). Se, me të vërtetë, Perëndia nuk ka nevojë për asgjë. (97)
Atje ka shenja të qarta, siç është Vendi i Ibrahimit -
Allahu i Lartësuar e ka konsideruar “Mekamu Ibrahim” – Vendin e Ibrahimit, si shenjë që të udhëzon në shumë dije të vërteta. Po çfarë nënkupton “Mekamu Ibrahim”? Çfarë është ajo shenjë a mrekulli që Zoti ka vendosur në të?! Dijetarët kanë mendime të ndryshme për këto çështje: Kështu, disa mendojnë se këtu flitet për gurin e njohur, mbi të cilin hipte Ibrahimi (a.s.) për të ndërtuar muret e Qabes. Ky gur ka qëndruar ngjitur pranë Qabes deri në kohën e Omer Ibn Hatabit, i cili e zhvendosi atë në pikën ku ndodhet edhe sot. Shenjat e Zotit që ndodhen në këtë gur janë pikërisht gjurmët e këmbëve të Ibrahimit (a.s.), të cilat mrekullisht i kanë rezistuar kohës deri më sot. Është vërtet e jashtëzakonshme ruajtja me shekuj e këtyre gjurmëve. Disa thonë se mrekullia qëndron në respektin dhe dashurinë e madhe që Allahu ka vendosur në zemrat e njerëzve për Ibrahimin (a.s.). Sipas tyre, “Meķâmu Ibrâhîm” do të thotë “Grada e lartë e Ibrahimit”. Të gjithë njerëzit e duan, e respektojnë dhe e nderojnë figurën dhe gradën e lartë të Ibrahimit (a.s.). Megjithatë, të tjerë mendojnë se “Meķâmu Ibrâhîm”ka kuptimin: “Vendadhurimi i Ibrahimit”. Kështu, përderisa ky grup emëror është i formës pronë - pronar, sipas rregullave gjuhësore të arabishtes, ai përfshin në kuptimin e tij të gjitha vendadhurimet e Ibrahimit (a.s.) në Qabe dhe rreth saj, ku Ibrahimi kreu adhurimet dhe përkushtimet e Tij ndaj Allahut të Lartësuar. Nën dritën e këtij kuptimi, të gjitha adhurimet që kryen në Qabe dhe rreth saj, si tavafi, sa'ji, namazi, qëndrimi në Muzdelife etj., janë argumente të madhështisë së kësaj Shtëpie dhe të adhurimeve të kryera në të ndër shekuj, që prej kohës së Ibrahimit (a.s.) e deri tani. Të gjitha këto rite, që nuk reshtin në këtë vend të bekuar çdo vit, çdo muaj e çdo ditë nga miliona njerëz, dëshmojnë për qëllimet e larta të Krijuesit kundrejt kësaj toke të begatë dhe kundrejt popullit që e adhuron Zotin Një në të. Një shenjë e madhe dhe argument i mrekullueshëm është edhe dashuria e malli që Allahu i Lartësuar ka futur në zemrat e njerëzve për të vizituar këtë Shtëpi të Shenjtë. Ata durojnë shumë vështirësi e mundime, janë gati të shpenzojnë gjithçka prej jetës dhe pasurisë së tyre vetëm për ta vizituar dhe për të shprehur në të adhurimin dhe dashurinë e tyre ndaj Zotit të saj, ndaj Allahut të Lartësuar. Në të gjitha ritet e përkushtimet që kryhen në Qabe ka urtësi të mrekullueshme dhe qëllime shumë të larta. Adhurimet e lidhura me atë vend janë aq dobiprurëse dhe të mrekullueshme saqë njerëzit nuk mund të përkufizojnë edhe një pjesë të vogël të tyre. Një mrekulli tjetër e Xhamisë të Shenjtë, që dëshmon për pushtetin dhe vërtetësinë absolute të Allahut të Lartësuar është edhe një fakt tjetër, që tregohet në këtë ajet:...dhe kush hyn në të, ai është i sigurt. -
Çdokush që hyn në Mekë është i sigurt nga çdo e keqe, ligjërisht dhe realisht. Themi ligjërisht, sepse nëpërmjet profetit Ibrahim (a.s.) e më pas edhe nëpërmjet Muhamedit (a.s.), Allahu i Lartësuar ka caktuar dispozita sigurie, të cilat mundësojnë që ai vend të madhërohet dhe të nderohet. Kështu, çdokush që hyn në Vendin e Shenjtë duhet të jetë i sigurt dhe i ruajtur nga çdo e keqe. Madje, atje është ndaluar edhe vrasja e kafshëve të gjuetisë apo prerja e pemëve dhe e bimësisë së saj. Lidhur me çështjen, disa dijetarë mbështeten në këtë ajet e thonë se kush bën një krim jashtë Vendit të Shenjtë dhe më pas hyn në të, ai është i sigurt dhe nuk dënohet, derisa të dalë prej atij vendi. Ndërsa për sa i përket sigurisë reale të këtij vendi, mund të themi se Allahu i Lartësuar, me urtësinë dhe pushtetin e Tij absolut mbi gjithçka, ka përcaktuar dhe vendosur që Qabja të ketë një nderim dhe vend të veçantë në zemrat e të gjithë njerëzve. Madje edhe idhujtarët apo qafirët (kur Vendi i Shenjtë ende nuk ishte pastruar prej tyre) e nderonin dhe e respektonin shenjtërinë dhe sigurinë e atij vendi. Kështu, për shembull, edhe pse ata ishin në përgjithësi të papërmbajtur, nëse ndonjëri prej tyre shihte vrasësin e babait të vet në Qabe, nuk e ngacmonte apo dëmtonte atë. Një tjetër shenjë e mrekullueshme që tregon për pushtetin absolut të Allahut dhe për faktin se Ai e ka përcaktuar këtë vend që të jetë i shenjtë e i sigurt, është edhe mbrojtja që Zoti i ka siguruar Qabes gjatë kohërave. Çdokush që ka dashur të bëjë diçka të keqe në të apo, aq më keq, ta shembë e shkatërrojë atë vend të shenjtë, e ka vuajtur ndëshkimin e hidhur që në këtë jetë, para atij të ahiretit. Kështu ndodhi me të ashtuquajturën “Ushtria e Elefantit”, por edhe me të tjerë.Për hir të Allahut, është detyrë për njerëzit vizita e Shtëpisë... -
Rreth këtij ajeti ka folur shumë bukur Ibn Kajjimi, të cilin unë do të doja ta citoja këtu. Kështu, pasi i bën një analizë gjuhësore kësaj fjalie, duke shfaqur disa dobi që fshihen pas formulimit të saj, Imam Ibn Kajjimi tregon se ajo përcjell tre mesazhe njëri pas tjetrit, të cilët janë renditur sipas rëndësisë së secilit. Renditja e tyre në fjali është në këtë mënyrë: Së pari: “Për hir të Allahut”. Ky është qëllimi që duhet të ketë njeriu në kryerjen e kësaj detyre. Në fakt, çdo adhurim duhet kryer për hir të Allahut, për të arritur kënaqësinë e Tij. Kështu, fjalia nis duke treguar së pari qëllimin e veprës dhe duke përmendur emrin e Tij të mrekullueshëm, Allah. Përmendja e këtij emri në fillim bëhet edhe për të treguar rëndësinë e madhe të kësaj detyre, madje përmban në vetvete edhe një lloj kërcënimi për ata që nuk e përfillin atë. Vërtet, kjo detyrë është një nga shtyllat e Islamit. Vizita e Shtëpisë së Zotit është një detyrë e madhe për njeriun, sikurse namazi, agjërimi etj. Ajo dispozitë që është bërë e detyrueshme nga vetë Allahu i Lartësuar, nuk është njëlloj si dispozitat e tjera, të ligjëruara për qëllime të tjera. Së dyti: “është detyrë për njerëzit”. Pra, më pas përmenden ata mbi të cilët rëndon kjo detyrë, që janë të gjithë njerëzit. Së treti: “vizita e Shtëpisë”. Në rend të tretë tregohet vetë detyra që rëndon mbi tërë njerëzimin në përgjithësi, dhe që duhet kryer me qëllim që të arrihet kënaqësia e Allahut të Lartësuar. Kjo detyrë kaq e rëndësishme është, pra: “vizita e Shtëpisë së Shenjtë”. Pastaj Allahu i Lartësuar tregon një hollësi tjetër:...për atë që ka mundësi të shkojë tek ajo. -
Në shpjegimin e kësaj pjese, imam Ibn Kajjimi ka analizuar fjalinë nga ana gjuhësore dhe ka thënë se vizita e Shtëpisë së Shenjtë është detyrim për të gjithë njerëzit në përgjithësi, ndërsa përjashtimi që bëhet në fjalinë e fundit tregon se ata që nuk kanë mundësi që ta kryejnë këtë vizitë, Allahu i Lartësuar nuk do t’i marrë në llogari. Përgjegjësinë e kanë vetëm ata të cilët e kanë mundësinë që ta kryejnë një detyrë të tillë. Pra, analiza gjuhësore që i është bërë kësaj fjalie tregon saktësinë e qëndrimit të mësipërm, sepse dikush mund të mendojë gabimisht se vizita e Shtëpisë së Shenjtë është thjesht një detyrim kolektiv (farz kifaje) që, po të përmbushet nga një individ i bashkësisë, hiqet përgjegjësia nga të tjerët, dhe jo detyrim individual (farz ajn). Shikoni me kujdes fjalinë! Fragmenti: “...për atë që ka mundësi të shkojë tek ajo” tregon që përgjegjësia për kryerjen apo jo të kësaj detyre është lidhur ngushtë me mundësinë për ta kryer atë. Pra, njeriu nuk do të merret në përgjegjësi tek Allahu i Lartësuar për kryerjen apo jo të saj, derisa të ketë mundësinë që ta kryejë. Nëse i krijohet mundësia dhe nuk e kryen, atëherë ai do të jetë përgjegjës. Ky është kuptimi i saktë i këtij ajeti. Një përfitim tjetër nga ky ajet është edhe mënyra e formulimit të dispozitave të Allahut të Lartësuar për adhuruesit e Tij. Për të përforcuar rëndësinë e një dispozite të caktuar, Ai përdor stile të ndryshme gjuhësore. Për shembull, kur Allahu i Lartësuar bën të detyrueshme diçka ose kërkon diçka të caktuar, Ai përdor forma të tillla si: “Kutibe alejkumus-sijamu” (Është shkruar për ju (si detyrë) agjërimi), ose: “Hur-rimet alejkumul mejtetu” (Është bërë haram për ju e ngordhura), ose: “Kul teâleu etlu mâ ĥar-rame rab-bukum alejkum” (Thuaj: “Ejani t’ju lexoj se çfarë ka bërë haram Zoti juaj për ju..). Por kur sjell ligjin për detyrimin e kryerjes së haxhit, Allahu përdor disa elementë gjuhësorë përforcues, për të treguar rëndësinë e madhe të këtij adhurimi. Disa nga këta elementë janë:Kush nuk beson
(këtë dispozitë)le ta dijë se, Allahu nuk ka nevojë për botën. -
Ky vërtet konsiderohet si kërcënim, sepse Allahu i Lartësuar e ka konsideruar mohimin e kësaj detyre si kufër (mohim të Zotit), dhe ky është, gjithashtu, përforcues i kësaj detyre. Allahu i Lartësuar ka deklaruar diçka, që vërtet konsiderohet si qortim, këshillë e kërcënim për njerëzit. Ai ka thënë që: “Allahu nuk ka nevojë për botën.” Allahu nuk ka nevojë për ibadetin që ia përkushtojnë njerëzit. Pra, Allahu i Lartësuar është i Pasur e Jonevojtar për adhurimet që kryejnë krijesat. Allahu nuk ka nevojë për adhurimin e askujt. Ai është i Lavdëruar dhe i Madhëruar në Veten e Tij. Çdo adhurim që Ai ka ligjëruar e ka bërë me mëshirën e Tij për lumturinë e njeriut. Kush e pranon ftesën, fiton kënaqësinë e Zotit, e kush e refuzon, dëmton veçse vetveten, duke merituar zemërimin dhe ndëshkimin e Zotit të tij. Siç kuptohet, kërcënimi është shumë i fortë dhe tregon rëndësinë e këtij urdhri. Për ta theksuar kërcënimin, Allahu i Lartësuar ka thënë se është Jonevojtar ndaj të gjithë botës, e nuk ka thënë që është Jonevojtar ndaj adhurimit të njërit apo tjetrit, që nuk dëshiron ta bëjë atë adhurim. Ky është element më i fuqishëm që tregon se Ai është i Pasur e i Lavdëruar, që nuk ka nevojë për asnjë dhe për asgjë, në çdo aspekt. Kështu përforcohet edhe kërcënimi ndaj atyre që e shpërfillin këtë detyrë. Element tjetër është pjesëza “inne” (vërtet) që përdoret në gjuhën arabe për të përforcuar kumtin e fjalisë. Edhe kjo është bërë, pra, në funksion të përforcimit të kësaj detyre, që quhet “vizita te Shtëpia e Zotit”. Të gjithë elementët përforcues tregojnë së bashku rëndësinë e madhe të këtij riti. Medito pak se si Allahu i Lartësuar e ka përsëritur dy herë që ky adhurim është detyrë: një herë për njerëzit në përgjithësi, dhe pastaj për ata që kanë mundësi dhe gjejnë rrugë dhe mjete për kryerjen e kësaj detyre, në veçanti. Përsëritja e një urdhri tregon për rëndësinë e tij. Pastaj medito pak edhe për faktin që Allahu i Lartësuar, para se të sjellë urdhrin e përforcuar për kryerjen e këtij adhurimi, përmend shumë vlera e mirësi të Shtëpisë së Shenjtë. Pa dyshim që ky stil është i mrekullueshëm për të nxitur shpirtrat dhe zemrat e njerëzve që ta vizitojnë atë vend të begatë. Subhanallah! Allahu i Lartësuar i bën shpirtrat që të përmallohen dhe ta duan fort vizitën e Qabes, që ata të shkojnë atje, edhe nëse nuk do të ishte detyrim për ta. Në ajetet e mësipërme numërohen shumë mirësi, që tregojnë madhështinë e Shtëpisë së Lashtë. Më konkretisht, Allahu i Lartësuar e ka përshkruar këtë shtëpi me pesë cilësi:Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë