Sureja En-Nisa (Gratë — النساء) (Ajet 100)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




4 En-Nisa(النساء), Ajet 100

وَمَنْ يُهَاجِرْ فِي سَبِيلِ اللَّهِ يَجِدْ فِي الْأَرْضِ مُرَاغَمًا كَثِيرًا وَسَعَةً ۚ وَمَنْ يَخْرُجْ مِنْ بَيْتِهِ مُهَاجِرًا إِلَى اللَّهِ وَرَسُولِهِ ثُمَّ يُدْرِكْهُ الْمَوْتُ فَقَدْ وَقَعَ أَجْرُهُ عَلَى اللَّهِ ۗ وَكَانَ اللَّهُ غَفُورًا رَحِيمًا 100 ١٠٠

Kush emigron në rrugën e Perëndisë, ai gjen shumë vendbanime dhe standard. Kush lë shtëpinë e vet, duke emigruar për Perëndinsë dhe Pejgamberin e Tij, pastaj t’i vijë vdekja, (në rrugë), Perëndia me siguri do ta shpërblejë atë. Se Perëndia është falës dhe mëshirues. (100)

Tefsiri

Kush mërgon për hir të Allahut, ka për të gjetur strehim gjithandej dhe begati të shumta. -

Duke treguar shpërblimin e madh të premtuar për këtë adhurim, ajeti është një nxitje për të kryer hixhret. Allahu i Lartësuar është mbajtësi më i mirë i premtimit, dhe Ai premton se cilido që bën hixhret në rrugën e Tij, duke synuar kënaqësinë e tij, patjetër do të gjejë “murâgamen” dhe “seaten” në tokë. ‘Murâgamen’ është fjalë që përfshin mirësitë e fesë e të besimit, ndërsa “seaten” tregon mirësitë e dynjasë. Shumë njerëz mendojnë se hixhreti shkakton veç ndarje nga njerëzit e dashur, varfëri pas pasurie, poshtërim pas krenarie dhe vuajtje pas lumturisë që e gëzoje në vendin tënd. Por e vërteta nuk është aspak kështu. Përkundrazi, besimtari, për sa kohë qëndron mes idhujtarëve, feja dhe besimi i tij janë në rrezik dhe të mangëta, qoftë në aspektin e riteve individuale, si namazi e të tjera si ai, qoftë në adhurimet me dobi më të gjerë, si xhihadi me fjalë dhe me vepra e çdo gjë që ka lidhje me të. Këto adhurime do të jenë të cunguara, sepse ai nuk i ka kushtet, mundësitë dhe mjetet për t’i zhvilluar ato në formën e tyre të plotë. Ai është i predispozuar të cenohet në besimin e tij, sidomos kur është i dobët e i pafuqishëm për t’u përballur me sprovat. Ndërsa kur emigron për hir të Allahut në një vend tjetër, atij i mundësohet që të plotësojë fenë e tij, të luftojë armiqtë e Zotit, të fuqizojë besimin në Zotin me fjalët e veprat që do të ketë mundësi t’i kryejë. Jo vetëm kaq, por atij do t’i dhurohet edhe furnizim i bollshëm. Dhe vërtetë ka ndodhur ashtu sikurse ka thënë i Madhëruari. Le të shohim se çfarë ndodhi me sahabët, pasi emigruan për hir të Zotit. Kur ata ikën dhe lanë pas shtëpi e pasuri, ata përmirësuan dhe përsosën imanin e tyre. Besimi i tyre i lartë, lufta dhe përpjekja për të ndihmuar fenë e Zotit i ngritën ata në grada të tilla, që i bënë prijës të çdokujt që do të vinte pas tyre. Nga lufta e tyre u çliruan shumë vende dhe iu shtuan begatitë. Ata u bënë njerëzit më të pasur dhe më të pushtetshëm të kohës. Sigurisht që kështu do të ndodhë me këdo që pason gjurmët e tyre, deri në Ditën e Gjykimit.

Kush del prej shtëpisë si emigrues për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe e zë vdekja, Allahu me siguri do ta shpërblejë atë. -

Çdokush që largohet nga shtëpia si muhaxhir, duke synuar të kënaqë Zotin, në emër të dashurisë për Profetin apo në ndihmë të fesë së Tij, dhe rrugës e gjen vdekja, duke u vrarë apo për shkaqe të tjera, ky njeri do ta marrë shpërblimin e plotë te Zoti, edhe pse nuk ka arritur në destinacion. Arsyeja qëndron te qëllimi i tij, madje edhe te nisja e veprimit. Allahu ia jep shpërblimin të plotë atij dhe të gjithë atyre që veprojnë në mënyrë të ngjashme, sepse Ai është Bamirës e Bujar. Të gjithëve Ai u ka premtuar shpërblim të plotë dhe falje gjynahesh e gabimesh në veprat e tyre. Prandaj Allahu i Lartësuar e mbyll këtë ajet me dy emrat e Tij të bukur:

Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. -

Ai është Falës për besimtarët, sidomos për ata që vazhdimisht pendohen dhe kthehen tek Ai me vepra të mira dhe bindje. Allahu është edhe Rrahim - Mëshirëplotë, i Mëshirshëm për të gjitha krijesat. Me mëshirën e Tij, Ai i bëri ato të ekzistojnë dhe me mëshirën e Tij Ai i ruan në vazhdimësi. Me mëshirën e Tij, Ai i furnizon ato me pasuri dhe fuqi. Çdo mirësi prej mëshirës së Tij gjithëpërfshirëse. Megjithatë, mëshira e Tij për besimtarët është e veçantë. Nëpërmjet kësaj mëshire, Ai i bën besimtarët të jenë të suksesshëm në fe e u jep diturinë e dobishme, e cila sjell bindjen e plotë. Kjo mëshirë u lehtëson atyre çdo mjet dhe rrugë që të çon drejt lumturisë. Vetëm prej saj ata janë të aftë të arrijnë çdo fitore dhe mirësi në këtë dynja. Po me mëshirën e Tij, ata do të shohin atë që syri nuk e ka parë, veshi s’e ka dëgjuar dhe zemra e njeriut nuk e ka përfytyruar ndonjëherë. E lusim të Mëshirshmin që të mos na privojë, për shkak të së keqes që gjendet tek ne, nga mirësitë që Ai dhuron!

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë