Sureja El-Maide (Sofra — المائدة) (Ajet 49)

Përdorni mjetin e kërkimit më poshtë për të parë një ose më shumë ajete të zgjedhura nga një sure specifike, së bashku me përkthimin e tyre në gjuhën tuaj të zgjedhur.




5 El-Maide(المائدة), Ajet 49

وَأَنِ احْكُمْ بَيْنَهُمْ بِمَا أَنْزَلَ اللَّهُ وَلَا تَتَّبِعْ أَهْوَاءَهُمْ وَاحْذَرْهُمْ أَنْ يَفْتِنُوكَ عَنْ بَعْضِ مَا أَنْزَلَ اللَّهُ إِلَيْكَ ۖ فَإِنْ تَوَلَّوْا فَاعْلَمْ أَنَّمَا يُرِيدُ اللَّهُ أَنْ يُصِيبَهُمْ بِبَعْضِ ذُنُوبِهِمْ ۗ وَإِنَّ كَثِيرًا مِنَ النَّاسِ لَفَاسِقُونَ 49 ٤٩

Dhe, (Na të dërguam Librin) që të gjykosh ti me atë që të ka shpallur Perëndia, e mos ndjek dëshirat e tyre! Ruaju nga ata, që të mos të turbullojnë ty prej disa sendesh që t’i ka zbritur Perëndia! Nëse ata kthehen e nuk dëgjojnë gjykimin tënd, atëherë ta dish se Perëndia don vetëm atë, që t’i dënojë ata, për disa mëkate të tyre. E, me të vërtetë, shumë njerëz janë mëkatarë. (49)

Tefsiri

Gjyko mes tyre me atë që ka shpallur Allahu! -

Për këtë ajet është thënë se ai shfuqizoi ajetin 42 të kësaj sureje, ku thuhet: “Në qoftë se vijnë te ti (për ndonjë gjykim), gjyko mes tyre (me ligjin e Zotit)ose distancohu prej tyre. Nëse distancohesh prej tyre, ata nuk mund të të bëjnë ty asnjë të keqe. Por nëse gjykon mes tyre, gjyko me drejtësi, sepse Allahu i do ata që gjykojnë me drejtësi.” Pra, pas këtij ajeti, nuk lejohet që i pyeturi të mos japë gjykim për çështjen që pyetet. Atij i duhet të gjykojë me ligjin që ka shpallur Allahu i Madhërishëm. Megjithatë, mendimi më i saktë është se ajeti 42 nuk është i shfuqizuar, pasi ai tregon se Profeti (a.s) ishte i lirë të gjykonte ose jo mes palëve, në rastin kur ata nuk synonin vërtet të gjykoheshin sipas Sheriatit, por donin ndonjë gjykim që u shkonte sipas qejfit. Ndërsa ky ajet që po komentohet tani tregon që, nëse i pyeturi zgjedh që të gjykojë mes palëve, atëherë ai duhet të gjykojë sipas Kur’ânit dhe Sunetit, pra, të gjykojë “me drejtësi”, ashtu sikurse u shpjegua në ajetin

42 Fjala “drejtësi” nënkupton që gjykimi duhet të bazohet te Shpallja hyjnore, sepse kështu thotë Zoti: “Gjyko mes tyre me atë që ka shpallur Allahu”. Kështu, çdo gjykim tjetër është shtrembërim dhe padrejtësi.

Mos ndiq dëshirat e tyre të kota... -

Allahu i Lartësuar e përsërit urdhrin për të mos ndjekur dëshirat e shfrenuara të tyre, për shkak të rrezikshmërisë që kanë. Në ajetin tjetër porositej për mosndje-kjen e pasioneve të tyre në fushën e gjykimit dhe të dhënies së fetvasë, ndërsa në këtë ajet bëhet fjalë vetëm për fushën e gjykimit mes tyre. Gjithsesi, në të dyja rastet është detyrë mbështetja në të vërtetën dhe mosndjekja e orekseve të njerëzve që e kundërshtojnë të vërtetën. I Madhëruari e përforcon edhe më tej këshillën, kur thotë:

...dhe ruaju rrezikut të tyre, që mos të të shmangin nga ndonjë pjesë e Shpalljes që ta ka zbritur Allahu! -

Kuptimi: Ki shumë kujdes, që të mos mashtrohesh nga ata. Ji i kujdesshëm, që ata mos të të sprovojnë, lëkundin dhe të të pengojnë nga Shpallja e Zotit tënd. Pasimi i dëshirave të tyre bëhet shkak që ti të lësh të vërtetën, ndërkohë që duhet të ndodhë e kundërta.

Nëse ata refuzojnë, dije se Allahu do që t’i ndëshkojë për disa nga gjynahet e tyre. -

Nëse ata refuzojnë t’i nënshtrohen të vërtetës dhe i kthejnë shpinën rrugës tënde, dije se ky është një ndëshkim nga Allahu i drejtë për ta. Kështu i ndëshkon Allahu i Madhëruar gjynahqarët zullumqarë. Gjynahet janë shkaktarë të ndëshkimeve dhe sprovave të kësaj dynjaje dhe të jetës tjetër. Ndër të këqijat më të rrezikshme që sjellin gjynahet është kur robit i zbukurohet braktisja e rrugës dhe traditës së Profetit a.s.

Dhe vërtet, shumica e njerëzve janë jashtë rrugës. -

Natyra e tyre është tjetërsuar dhe tashmë atyre u është zbukuruar shkelja e kufijve të Zotit dhe mosndjekja e rrugës së Profetit a.s.

Përndryshe, mund të përdorni funksionin e kërkimit të zgjuar më poshtë